Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj ka komentuar skandalet e fundit që po ndodhin me punësimet e militantëve partiakë nëpër ndërmarrje publike, konkretisht në PTK
Telekomi i Kosovës është bërë vatër e punësimeve partiake, ndërsa së fundi janë zbuluar se këtu janë punësuar djali i Muharrem Nitajt, djali i Teuta Haxhiut si dhe reja e Pal Lekajt.
E për këto punësime që kanë ndodhur në Telekom ka reaguar Dardan Molliqaj, deputet i Kuvendit të Kosovës në radhët e PSD-së.
Ai me anë të një postimi në Facebook ka thënë se këto praktika të punësimit duhet të ndalen menjëherë dhe duhet të ndërmerren veprime konkrete për rivitalizimin e ndërmarrjeve tona publike.
Ky është postimi i plotë i Molliqajt:
Asnjë veprim në emër të interesit kombëtar, nuk e justifikon zhvatjen e shtetit.
Zhvatje nuk janë vetëm milionat e tenderave. Zhvatje është edhe shfrytëzimi i ndërmarrjeve publike për të mbipunësuar militantët partiakë dhe familjarët e të afërmit e pushtetit.
Nuk do të ketë zhvillim në Kosovë sa të ketë pushtete që projektin e shtetndërtimit dhe interesit të përgjithshëm, e shfrytëzojnë si mbulesë për kapjen e ndërmarrjeve publike dhe shfrytëzimin e tyre për pasurim personal.
Praktika të tilla duhet të ndalen menjëherë dhe të ndërmerren veprime konkrete për rivitalizimin e ndërmarrjeve tona publike.