A do të mundësohet sërish tërheqja e mjeteve nga Trusti?

0
132

Qeveria e Kosovës ditë më para ka lajmëruar se është duke përgatitur pako financiare për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve në këtë kohë të rritjes së çmimeve të produkteve të konsumit.

Sipas Agjencisë së Statistikave në Kosovë që nga muaji shtator është shënuar ngritje e çmimeve të konsumit të përditshëm deri në afro 30 për qind.Lidhur me këtë, kanë qarkulluar lajme se gjoja Qeveria e Kosovës, është duke shqyrtuar mundësinë, që përmes Trustit Pensional të Kosovës, t’iu mundësoj qytetarëve të tërheqin shumën 20 ose 30% nga të hollat që i kanë të grumbulluara në këtë fond.

Pas këtyre raportimeve, ka folur Zëdhënësi i Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, Jeton Demi.

Në një prononcim për Gazetën Infokus, ai tha se deri tani nuk ka diçka zyrtare nga Qeveria e Kosovës për Trustin Pensional.

“Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust) deri tani nuk ka marrë informacion për një mundësi të tillë” tha Demi.

Derisa shqetësimi i qytetarëve, është se të ardhurat kanë mbeten të pandryshuara derisa ekonomistët thonë se pritet ngritje e mëtejme e çmimeve dhe se duhet të kërkohen zgjidhje afatgjate.

Kujtojmë se vitin e kaluar Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike i cili ua mundëson qytetarëve të tërheqin në mënyrë të parakohshme deri në 10% të mjeteve të kursyera në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust).