A duhet t’u ndalohet policëve mbajtja e armës jashtë orarit? Flet eksperti i sigurisë

Pas incidentit me armë zjarri të ndodhur në fshatin Zllatar të Prishtinës, ku i vdekur ka mbetur një polic, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë se pavarësisht rastit, policët ashtu siç edhe theksohet në rregullore, duhet të mbajnë armë edhe jashtë orarit të tyre të punës.

Kjo sepse sipas tij, zyrtarët policor duhet të jenë të gatshëm 24 orë në mbrojtje të qytetarëve.

“Nuk mund të hiqet nga rregullorja por duhet që Policia e Kosovës të ngrit në shkallë më të lartë çështjen e trajnimeve shtesë për zyrtarët policor sidomos kur ka të bëjë me keqpërdorimin e armëve, duhet të mbajnë trajnime shtesë”, ka thënë Ibishi për lajmi.net.

“Policët detyrimisht duhet të mbajnë armë për arsye se ata janë 24 orë në sipas ligjit të ngarkuar me detyra në mbrojtjen e jetës dhe parandalimin e veprave nga një rrezik permanent dhe rast ekstrem, polici zyrtar pa marrë parasysh a është në detyrë apo jo ai duhet t’i përgjigjet detyrave ligjore në zbatimin e detyrimeve për mbrojtje ndaj qytetarëve”, potencoi Ibishi.

Teksa e quan si ngjarje të rëndë, ai ka theksuar se rastet e tilla i japin imazh të keq institucionit përkatës.

“Ky është një rast i rëndë që i jep imazh të keq Policisë së Kosovës”, shtoi ai.

Sipas Ibishit, zyrtari policor “duhet t’i nënshtrohet një drejtimi të rreptë procedural edhe të përgjegjësisë disiplinore por edhe të asaj penale pasi që ka të bëjë me vrasjen e kolegut”.

Inspektorati Policor ka njoftuar se policët ishin në një ndejë private, ku kishin marrë pjesë 15 zyrtarë policorë.

Lidhur me rastin, IPK ka arrestuar pesë zyrtarë policor ndërsa ka kërkuar suspendimin e nëntë tjerëve.

Ndërkohë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar menjëherë teksa ka kërkuar angazhim maksimal të Inspektoratit Policor lidhur me hetimet.

“Në orët e hershme jam njoftuar për incidentin me të shtëna me armë zjarri në fshatin Zllatar nga i cili ka humbur jetën pjesëtari i Policisë së Kosovës, Lirim Haxholli. Shpreh ngushëllimet e mija familjes së të ndjerit për humbjen e familjarit të tyre. Me të marrë lajmin, kam kontaktuar Kryeshefin e IPK-së nga i cili kam kërkuar angazhimin maksimal të këtij institucioni në hetimin e plotë të kësaj ngjarje dhe rrethanave në të cilat ka ndodhur”, thotë ai.

Ministri ka shkruar në Facebook se “tashmë janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes si dhe përgjegjësit e kësaj tragjedie të vihen para përgjegjësisë”.