Plaçkitet bankomati i bankës TEB

Një bankomat i bankës TEB është plaçkitur mëngjesin e sotëm në rrugën “Nazim Gafurri”, në Prishtinë.

Dyshohet se 4 persona kanë depërtuar me forcë në objektin ku ka qenë i vendosur bankomati, të cilët kanë arritur të marrin para nga kasaforta e bankomatit.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, zëdhënësi i policisë në rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Nga iformacionet e para dyshohet se 4 persona të dyshuar, kanë depërtuar me force në objektin ku ka qenë i vendosur bankomati. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është ngritur dyshimi se të dyshuarit duke përdorur substance shpërthyese kanë arritur që të marrin një sasi të konsiderueshme të parave nga kasaforta e bankomatit dhe me pas janë larguar nga ai lokacion me veturën e tyre”, ka thënë Borovci.

Po ashtu Borovci ka thënë se, Policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qellim identifikimin e të dyshuarve si dhe ndriçimin e plotë të sajë.