A e ka kërkuar postin e Ministrit të Shëndetësisë, përgjigjet Haxhi Avdyli

Deputeti nga radhët e listës “Guxo”, Haxhi Avdyli, është përfolur si ministër i mundshëm i Shëndetësisë pas dorëheqjes së ish-ministrit, Arben Vitia.

Por, vetë Avdyli ka deklaruar se asnjëherë nuk e ka kërkuar postin e Ministrit të Shëndetësisë pas tërheqjes së Arben Vitisë.

Ai ka thënë se marrëveshja për formimin e koalicionit mes Listës “Guxo” dhe Lëvizjes Vetëvendosje parashihte ndarjen e posteve ashtu siç janë tani.

“Asnjëherë nuk e kam kërkuar atë post të Ministrit të Shëndetësisë. E keni edhe kryeministrin që mund ta pyetni. Isha madje me të edhe në shumë vende gjatë fushatës. Marrëveshja paraprake nuk e ka paraparë që ne të kemi atë post”, ka deklaruar Avdyli.

Posti i Ministrit të Shëndetësisë u la i lirë nga Arben Vitia, i cili garoi për kryetar të komunës së Prishtinës.

Ministër i ri i Shëndetësisë është zgjedhur Rifat Latifi.

Avdyli tha se Latifi është ndër shqiptarët më të suksesshëm në fushën e mjekësisë në botë.