A është Albulena Haxhiu më e shara e politikës?

I ndodhi sa ishte në opozitë, e po i përsëritet edhe tani kur është në pushtet.

Albulena Haxhiu mohon se e di arsyen përse është cak i të paktën katër prej ofendimeve më të rënda që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u përball me një situatë të tillë edhe këtë javë, kur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, shau me rob, ani se jo direkt anëtaren e qeverisë.

Kjo ndodhi pasi deputetët e PDK-së e ndërprenë fjalën e Haxhiut, derisa kjo po e jepte qëndrimin e saj për ambasadorin e Kosovës në Slloveni, Martin Berishaj, dhe po bënte një krahasim me raportin e Freedom House, ku flitej negativisht për ish-presidentin, Hashim Thaçi.

E dy ish-anëtarë të Kuvendit ishin më të drejtpërdrejtë në raport me të.

Ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në tetor të vitit 2015, i kishte thënë: “Ma hangsh…”, në një shpërthim të tij, derisa kjo po e quante kriminel.