Ditë historike për Kosovën: Ushtruesja e detyrës së presidentes nuk mori pjesë në ceremoni

Kosova dhe Izraeli i kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike mes tyre, duke e zyrtarizuar njohjen e ndërsjellë përmes një ceremonie virtuale ku morën pjesë dy ministrat e Jashtëm të të dy vendeve.

Në zyrtarizimin e marrëdhënieve Kosovë-Izrael nuk mori pjesë Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, e cila e dërgoi shefin e kabinetit të Presidencës, Faton Peci.

Pas ceremonisë virtuale, në një ambient me flamuj të Kosovës dhe Izraelit, por edhe flamurin e SHBA-së, janë parë duke festuar kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë – Serbi, Skender Hyseni e Faton Peci, këshilltari i ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, por jo edhe vetë ajo, shkruan Periskopi.

Ndonëse me një sërë mosmarrëveshjes dhe me shumë kundërshti mes tyre, Hoti dhe Peci që jo shumë kohë më parë ishin bashkëpartiakë, i kanë cakrruar gotat dhe e kanë uruar njëri-tjetrin për këtë sukses.

Njohja e Kosovës nga Izraeli erdhi si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga administrata Trump në shtator. Marrëveshja përfshinte gjithashtu normalizimin midis Izraelit dhe Kosovës dhe që të Kosova dhe Serbia të hapnin ambasadat e tyre në Jeruzalem.