A ja vlen të investojmë në Kriptovaluta? Flasin ekspertët e ata që investuan në para digjitale

Trendi për investimin në Kriptovaluta ishte shumë në rritje.

Në periudhën e fundit, parat digjitale, kanë tërhequr shumë persona.

Një ndër ta është edhe Granit Kadolli.

Ai ka treguar për Front Online më shumë rreth mënyrës së investimit në këto para digjitale.

Thotë se ekzistojnë dy mënyra për investim në Kriptovaluta.

“Në tregjet e Kriptos janë dy mënyra të investimit: Mining dhe blerje me kredit kartë nëpër platforma apo këmbimore online. Metoda e mining është metoda e cila duhet të bleni një ASIC miner apo GPU mining rig. Këto pajisje janë të modifikuara dhe të dedikuara vetëm për kriptografi dhe shumë nga ne i quajmë ‘Super Poëer Computer” që ka një fuqi dhe shpejtësi të procesimit i cili arrin një transaksion t`a dërgoj prej një adrese në një adresë të caktuar. Kjo bën që të mbyllet qarku me një kodim të avancuar dhe fuqi, ku në këto ditë të sotme është shumë problem të ç ’kodohet një transaksion i tillë apo me një fjalë të mohohet që nuk ka ndodh ai transaksion tek destinacioni i duhur”, ka theksuar Kadolli.

Ai përmend disa rregulla që secili person duhet t`i dijë, kur të investohet në Kriptovaluta.

“Të ketë kujdes që investimi të mos bëhet i pa përballueshëm në fillim. Çdo investim që bëhet në fillim, hapi i parë është që të kthehet investimi fillestar dhe të mbahet apo të ndërrohet ose të tregtohet me fitim. Që vlerat e coin/tokens të mbahen në kuleta dhe jo në këmbimore online. Të përdoren platforma të decentralizuara që këmbimi të bëhet prej Portofolit në Portofol si dhe të ketë kujdes që të mos lidhet “Portofoli” kudo nëpër platforma të pa autorizuara sepse hajnat kibernetik mund të ju vjedhin monedhat e juaja, ka thënë ai.

Kadolli ka treguar për rrënjët dhe ndryshimet që kanë ndodhur gjatë këtij viti në këto valuta, duke marr parasysh disa faktor.

“Sipas ekonomisë dhe tregjeve botërore në kohën e fundit ka rënie edhe tek Kriptovaluta, edhe pse ka volum dhe kapacitet të vogël, si pasojë e ndikimit të krizës financiare botërore, luftës dhe frikës nga ndonjë luftë e tretë botërore apo nukleare”, ka thënë ai.

Kriza energjetike dhe ndikimi i saj në investimin në Kriptovaluta

Kriza globale me energji elektrike, ka prekur gjithë vendet, duke përfshirë edhe Kosovën, madje për këtë arsye në vitin 2021, Qeveria pati marr vendim të ndaloj të gjitha veprimtarit e investime në para digjitale.

E në lidhje me këtë Kadolli ka thënë se kjo nuk ka të bëj aspak me ekonominë botërore por me faktorin njeri, pasi sipas tij, janë njerëzit ata që vendosin të investojnë apo të tërhiqen nga investimet e tyre.

Kadolli: Kriptovaluta ka një të ardhme të qëndrueshme

Kadolli ka vlersuar se Kriptovaluta është platforma më e saktë në botë në aspektin e transfereve të vlerave të mëdha me një kosto shumë të vogel.

“Kripto ka një të ardhme të qëndrueshme sepse është platforma më e saktë, e sigurt dhe më e shpejtë në botë sa i përket transfereve të vlerave të mëdha me një kosto të vogël”, ka thënë Kadolli.

Ndërsa, konvertimi i këtyre parave sipas tij bëhet në shumë platforma online dhe nuk paraqitet ndonjë problem.

“Konvertimi i Kriptovalutave bëhet pa asnjë problem tashmë edhe në shumë platforma online. Mund të blihet me kartë bankare në shumë vende të botës. Tashmë ka edhe këmbimore të cilat i deponon 500 euro dhe e merr vlerën në dollar +500 USDT (dollar digjital me vlerë të çmimit të dollarit momental) dhe pastaj mund të investohet në ndonjë monedhë duke marr parasysh hapat që i kemi cek më lartë, me kujdes të shtuar që investimi fillestar të kthehet çdoherë tek buxheti i juaj dhe i cili nuk e dëmton rëndë buxhetin personal apo kursimet”, është shprehur ai.

Shatri: Paraja digjitale duhet të rregullohet me ligj në Kosovë

Njohësi i ekonomisë dhe ish-ministër i Financave në Kosovë, Haki Shatri, vlerëson se qarkullimi i këtyre valutave duhet të rregullohet me ligj edhe tek ne.

“Funksionimi apo qarkullimi i parasë digjitale, duhet të rregullohet me ligj në Kosovë, por ne nuk jemi ndonjë treg i madh, dhe rregullat vendosen në tregjet e jashtme, ku janë qendra dominuese. Ne si shtet, meqë jemi si treg i vogël nuk mund të ndikojmë as negativisht e as pozitivisht në investimin e tyre, sepse jemi të pafuqishëm në këtë aspekt”, ka thënë ish-ministri Haki Shatri për Front Online.

Ndërsa, njohësja e ekonomisë, Ynllora Bytyçi-Shala, në një prononcim për Front Online, ka deklaruar se prodhimi i monedhave digjitale filloi në veriun e Kosovës pasi thotë se banorët e asaj pjese e kishin më të lehtë pasi, nuk kanë paguar energjinë elektrike për më shumë se dy dekada.

“Mes rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, Kosova po përpiqet të godasë minierat e kriptovalutave në veriun me shumicë serbe, ku banorët nuk kanë paguar fatura energjie elektrike për më shumë se dy dekada. Prodhimi i kriptomonedhave po fillonte dhe veriu i Kosovës – ku banorët nuk e kanë paguar energjinë elektrike që nga lufta e viteve 1998-1999 – ishte vendi i duhur për këtë. Sepse shumica e shtëpive në veri kishin nga një pajisje dhe kushtonin 150 deri në 200 euro në muaj, si një lloj qiraje”, ka deklaruar ajo.

Shala ka folur për shpenzimin e energjisë elektrike dhe rritjes së këtij konsumit si pasojë e prodhimit të valutave digjitale.

“Katër komunat e veriut përbëjnë rreth 2.1 për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës prej rreth 1.8 milionë banorësh, ato përbëjnë gjithashtu gjashtë për qind të konsumit të energjisë elektrike dhe ky konsum po rritet – nga 214 gigavat orë në vitin 2011, në 267 në vitin 2017 dhe 372 gigavat në vitin 2021. Kjo është një rritje prej 74 për qind në hapësirën e 10 viteve, pavarësisht nga shifrat zyrtare që tregojnë një rënie të lehtë të popullsisë së veriut nga 40,000 banorë në 2011 në 39,000 banorë në 2021. Kostot financiare për vitin 2021 kanë qenë mbi 41 milionë euro, ndërsa për periudhën janar-qershor 2022 kostot financiare të humbjeve të shkaktuara nga energjia e konsumuar dhe e papaguar në veri të vendit janë 32 milionë euro. Dhe mund të themi që aktiviteti në pjesen tjeter të territorit të Kosovës është kanalizuar në masë te madhe duke venë mbikqyrje sferen e kryptovaluta”, ka thënë ajo.

Bytyqi-Shala: 10 deri në 15 mijë përdorues të kriptovalutave në Kosovë

Njohësja e ekonomisë, Yllnora Bytyçi-Shales, thotë se janë 10 deri në 15 mijë përdorues të kriptovalutave në Kosovë.

“Kosova ka mekanizëm doganën por edhe KEDS që dy segmente që mund të vazhdojnë hulumtimin dhe konfiskimin e pajisjeve por sipas shifrave jo zyrtare në Kosovë thuhet që janë rreth 10.000 deri 15.000 përdorues të këtyre kriptovalutave”, thënë ajo.

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain”

Versionet më të popullarizuara janë Bitcoin dhe Ethereum, por gjithashtu ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka lëshuar më 3 dhjetor të vitit 2021 një komunikatë për media, duke iu bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që gjenerojnë të ardhura nga kriptovalutat, t’i deklarojnë ato dhe të paguajnë tatim për to.

ATK-ja ka thënë se “do të marrë masa ndaj personave që nuk i deklarojnë këto të ardhura.