A po planifikon Albin Kurti ‘ta djeg’ Konjufcën, për t’ia rikthyer LDK-së kryeparlamentarin?

Tash e dy javë, Glauk Konjufca u zgjodh me shumicë të votave të deputetëve në pozitën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por edhe pse kanë kaluar 2 javë, ai ende nuk e ka emëruar asnjë këshilltar apo staf tjetër në kabinetin e tij.

Burime të Periskopit brenda Kuvendit të Kosovës bëjnë të ditur se kryeparlamentari Glauk Konjufca ende nuk i ka ofruar Administratës së Kuvendit asnjë emër për ta pajisur me kontratë pune, duke u thënë se është ende në pritje.

Të njëjtat burime kanë treguar se Konjufcën në Kuvend po e shoqëron vetëm një aktiviste e Vetëvendosjes, edhe ajo pa kontratë pune, ndërsa për disa ditë në emër të kabinetit të tij është sjellur nëpër Administratën e Kuvendit, Salih Zyba i Vetëvendosjes.

“Kryeparlamentarit të ri i është ofruar mundësia që të sjell emrat e stafit të tij që t’u përgatiten kontratat e punës, por deri tani ende nuk ka ofruar asnjë emër”, ka thënë burimi i Periskopit brenda Kuvendit.

Mësohet se kryeparlamentari Konjufca e ka prolonguar formimin e kabinetit të tij me kërkesë të pretendetit për kryeministër, Albin Kurti, pas rinisjes së negociatave me LDK, duke lënë të mundshme mundësinë që pozita e Kryeparlamentarit mund t’i rikthehet LDK-së, në rast të ndonjë marrëveshje të re për koalicion.

Edhe në webfaqen e Kuvendit të Kosovës shihet se komplet pjesa e stafit të kryeparlamentarit është e zbrazët pa ndonjë emërim, ndërkohë që Konjufca, i vetëm, po mbanë disa takime protokollare duke pranuar urime për pozitën e tij të re.