AAK-ja kërkon seancë për shëndetësinë, thotë se gjendja është e mjerueshme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po i mbledh nënshkrimet për një seancë të jashtëzakonshme parlamentare ku duan ta adresojnë situatën e shëndetësisë në vend.

“Ne si Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës kemi filluar mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme parlamentare në lidhje me gjendjen e shëndetësisë dhe sigurimet shëndetësore”, ka thënë deputeti i kësaj partie, Shemsedin Dreshaj, në një konferencë për media.

“Arsyeja se pse e kemi bërë këtë është që ekziston një gjendje vërtet e mjerueshme në shëndetësi, me ç’rast vazhdojnë që të jenë ende aktuale dhe duke u rritur listat në pritje, pastaj vazhdojnë problemet e njëjta me listën esenciale të barnave në shërbimin klinik universitar të Kosovës. Pastaj, vazhdojnë që të mbeten problemet e njëjta lidhur me infrastrukturën e dobët në shëndetësi dhe njëkohësisht vazhdon që të persistojë ikja e personelit shëndetësor jashtë vendit pra atë që me shumë mund dhe përvojë e kemi ngritur”.

AAK-ja ka kërkuar nga qeveria që pikërisht shëndetësinë ta ketë prioritet të qeverisjes së saj.