Shfaqet dokumentari “Komandanti sypatrembur i Artakollit”

Sot në sallën e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri është shfaqur  filmi dokumentar kushtuar Heroit,  Jashar Jasharit, komandant “Duraku” nga fshati Strofc, shkruan Fokusi. info.

Në promovimin e këtij filmi dokumentar me titull “Komandanti sypatrembur i Artakollit” morën pjesë shumë personalitete të njohura nga Vushtrria dhe Kosova, mes të cilëve ministri Mbrojtjes, Armend Mehaj, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, deputeti Bekim Haxhiu, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ish – pjesëtarë të UÇK-së, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë.

Ky dokumentar u shfaq në 24 vjetorin e  betejës së Hamidisë (11 qershor 1998) e njohur si beteja e parë frontale në mes UÇK-së dhe forcave serbe në Zonën Operative të Shalës, të cilën e udhëhoqi komandant ‘Duraku’.

Duke ndjerë nevojën për të siguruar armatim të mjaftueshëm, Jashari së bashku me shumë ushtarë tjerë kaluan kufirin dhe hynë në Shqipëri. Pas marrjes së armatimit me tu kthyer në Kosovë, Jashar Jashari me bashkëluftëtarë, më datën, 29 mars të vitit 1999, konkretisht pas mesnatës në Livadhet e Qershisë mbi Shishman të Gjakovës, së bashku me trembëdhjetë trima të tjerë, (si: Mehdi Zabeli, Mon Maqi, Jahja Danuza, Kadri Berisha, Nuhi Elezaj, Bujar Syla, Xhemajl Avdullahu, Armend Qymyri, Bujar Syla, Naim Lata, Florim Sejdiu, Ibrahim Asllani, Besim Rama dhe Jashar Jashari; ndërsa pati edhe të plagosur, ku ndër ta ishte edhe Esat Imeri nga Vushtrria), ranë për të mos vdekur kurrë./Fokusi.info