AAK-ja porosit Qeverinë: Vlera e koeficientit duhet të jetë 129€‎, ndryshe do ketë rënie drastike

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-ja, Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë dhe Presidenten për Ligjin e Pagave të sektorit publik.

Në një konferencë për medie, Tahiri thotë se po vazhdon të mbahet sekret vlera e koeficientit dhe sipas tij një gjë e tillë është e papranueshme.

“Kaloi edhe një javë edhe një mbledhje e Qeverisë, pasi Ligji i Pagave është nënshkruar nga Presidentja e vendit dhe ende vazhdon të trajtohet në mënyrë më të fshehtë, sekrete vlera e koeficientit.Është e papranueshme që 80 mijë sherbyes të këtij vendi janë në ethe dhe të mos e dinë pagën e tyre, duke e ditë se ekziston një ligj”, tha Tahiri.

Tahiri thotë se vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro, ndryshe sipas tij do të ketë rënie drastike të pagave.

“AAK-ja e ka një porosi për kryeministrin dhe Qeverinë. Në mënyrë që ky ligj të shpëtohet, atëherë vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro. Kjo në mënyrë që mos të ketë rënie drastike të pagave”, tha Tahiri.