Populizmi i Kurtit: Për herë të parë e kujton Presidentin Rugova në rrjete sociale

Kreu i VV’së, Albin Kurti, për herë të parë që prej vitesh e ka kujtuar Presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, përmes rrjeteve sociale, kjo pak kohë para se ai mund të bëhet kryeministër i vendit.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Kurti e ka kujtuar ish-Presidentin Rugova, duke e cilësuar si intelektual e humanist.

“Historiani britanik Noel Malcolm ka theksuar se Presidenti Ibrahim Rugova, në njërën anë, i ka bashkuar shqiptarët e Kosovës kundër Serbisë, ndërkaq, në anën tjetër, e ka ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës. Ai është kujdesur për popullin e Kosovës, por jo vetëm. Në vijim janë katër ekstrakte nga katër intervista të tij, njëra për shtypin gjerman (1992), tjetra për atë francez (1994), e treta (1991) dhe e katërta (1992) për ato të Kosovës”, ka shkruar ai.

Lideri i VV’së e ka publikuar edhe një intervistë të Rugovës dhënë në vitin 1992.

Kujtojmë se kjo është hera e parë që Kurti shkruan rreth Rugovës në rrjetet sociale të tij, ndërsa ai nuk e ka vizituar asnjëherë varrin e Presidentit të ndjerë.

I pari i VV’së si dhe partia e tij vazhdimisht kanë qenë kritik ndaj politikave që Rugova i kishte ndjekur gjatë luftës në Kosovë./gazetametro.net