AAK nuk do t’ia bëjë kuorumin Osmanit, Haradinaj thotë se Kurti nuk ka dashur bashkëpunim

Ramush Haradinaj nga AAK, ka folur për takimin me kreun e VV-së, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin.

Ai ka thënë se në këtë takim në asnjë moment nuk i është kërkuar vota e AAK-së për Vjosa Osmanin, por as për kuorum.

“Unë i kam thënë se a janë të interesuar për bashkëqeverisje, Kurti nuk ka pranuar. Atëherë, pasi që nuk na është kërkuar as kuorum e as vota për Osmanin, unë e kam shfrytëzuar rastin t’iu them se nuk është mirë që tri pushtetet të koncentrohen tek një njeri, në këtë rast tek Albin Kurti”, ka thënë Haradinaj në RTV Dukagjini.

Haradinaj ka thënë se AAK-ja nuk do të lehtësojë zgjedhjen e Vjosa Osmanit për Presidente, duke lënë të nënkuptohet se AAK-ja nuk do të ndihmojë në kuorumin e partive në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Presidentit.