Abdixhiku e pranon ftesën e Kurtit për takim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vendosur ta pranojë ftesën e kryeministrit Albin Kurti për t’u takuar nesër në ndërtesën e Qeverisë.

Abdixhiku pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, tha se ftesa e Kurtit erdhi me vonesë, por se po e pranon sepse beson “se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore.

“Kam pritur një proces më transparent dhe më gjithëpërfshirës rreth procesit të dialogut. Deri më tani, informimin e vetëm dhe të detajuar, LDK e ka pranuar vetëm nga aleatët ndërkombëtarë – të cilët në vazhdimësi i kanë qëndruar Kosovës në krah. Në këtë drejtim, dua të falënderoj në veçanti të dërguarin amerikan për Ballkan z. Escobar, ambasadorin amerikan në Prishtinë z. Hovenier; sikurse dhe të dërguarin e BE-së z. Lajçak. Në takime me ta, kam rikonfirmuar mbështetjen e plotë për masat e reciprocitetit; sikurse kam dhënë mbështetjen e plotë për vet procesin e dialogut”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai e akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po e mban të painformuar publikun për procesin e dialogut.