Krimi brenda policisë: 300 zyrtarë policorë nën hetime

Skandalet brenda Policisë së Kosovës nuk kanë të ndalur. Vrasje, dhunime e plagosje janë vetëm disa prej incidenteve në të cilat janë përfshirë zyrtarët policorë viteve të fundit. Për një numër të madh të tyre tashmë kanë nisur hetimet, derisa të tjerë ose janë arrestuar ose suspenduar nga puna.

E kanë për detyrë që të mbrojnë, por viteve të fundit disa prej tyre janë shndërruar në vrasës e dhunues. Në vend të ndjenjës së sigurisë, ata kanë filluar të ngjallin frikën te kosovarët.

Një prej rasteve të fundit është vrasja e Jetmir Aliaj nga Mushtishti i Suharekës, i cili gjeti vdekjen në një kazino në Suharekë gjatë orarit të punës.

32-vjeçari mbeti i vrarë nga plumbi që u shkrep në drejtim të tij gjatë një tentim plaçkitjeje nga një grup personash në kazinonë ku po punonte. Në mesin e këtyre plaçkitësve, dyshohet të ketë qenë edhe një rreshter i policisë.

Madje, rreshteri Shefki Spahiu po dyshohet se ishte pikërisht ai që i zbrazi plumbat në trupin e Jetmirit, duke e lënë edhe të vdekur.

Sipas aktakuzës pasi që i akuzuari Shefki Spahiu qëndroi në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën-pistoletën e markës “Glock”, të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Por, ky nuk është skandali i vetëm në të cilin dyshohet se u përfshinë zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Vesel Veseli po vazhdon të mbahet në arrest shtëpiak, nën dyshimin se ka keqpërdorur seksualisht një të mitur nga Drenasi, derisa ajo kishte kërkuar ndihmë prej tij.

Gjithçka kishte nisur kur 16-vjeçarja kishte shkuar në polici për të denoncuar profesorin e saj. Prej asaj dite dyshohet se kishte nisur historia e dhunës, kërcënimeve dhe shfrytëzimit seksual të kësaj nxënëseje nga hetuesi policor.

Përveç dhunës së ushtruar mbi të, Veseli dyshohet se e kishte detyruar vajzën të abortojë fëmijën e tyre nën kërcënim.

Skandalet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës nuk mbarojnë këtu.

Në Inspektoratin Policor i kanë thënë Gazetës Express se vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit kanë pranuar 637 ankesa ndaj zyrtarëve policorë.

Deklarojnë se prej gjithë këtij numri, mbi 400 ankesa janë dërguar për hetim disiplinor, derisa të tjerat thonë se janë proceduar në Departamentin e Hetimeve.

“Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 IPK ka pranuar gjithsej 637 ankesa, ku prej tyre njëzet (22) kanë qenë informata. Nga numri total prej 637 lëndëve, 412 ankesa janë dërguar në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të Kaluarës në Policinë e Kosovës për hetim disiplinor, ndërsa 225 ankesa janë proceduar në Departamentin e Hetimeve në IPK”, kanë thënë nga IPK’ja.

Në këtë institucion deklarojnë se aktualisht janë duke u hetuar 289 policisë nën dyshimin se kanë kryer vepra penale.

“Departamenti i Hetimeve të IPK-së për 6 mujorin e parë të 2019-ës ka pranuar gjithsej 225raste/ankesa për hetim preliminar, ndërsa me numër penal nga ankesat e pranuara janë regjistruar gjithsej 65 raste. Për dyshimin se kanë kryer vepra penale, janë duke u hetuar gjithsej 289 zyrtarë të policies”, thuhet në përgjigjet e IPK’së drejtuar Gazetës Express.

Gjatë kësaj periudhe, sipas IPK’së janë arrestuar 27 zyrtarë policor, derisa 40 të tjerë janë arrestuar. Ndërkohë, si zakonisht për të mos e bërë fort të madhe këtë punë, Inspektorati Policor i ka përcjellë këto statistika edhe në mediat e tjera.