Abdixhiku ia kujton Kurtit protestat e dhunshme kundër dialogut: Parimet e juaja ishin mashtrime

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kritikuar ashpër kryeministrin Kurti në lidhje me raportimin e tij në Kuvendin e Kosovës për procesin e dialogut, vetëm pak ditë para takimit me Vuçiqin të martën.

Abdixhiku në Kuvend tha se Kurti do të duhej të raportojë për raundin e ri të dialogut, dhe jo për ato që kanë ndodhur në të kaluarën, pasi që Kurti nuk është më opozitar, shkruan lajmi.net.

“Kurti do të duhej të raportojë për raundin e di dialogues ku ai këtë të marte do të marrë pjesë. Ky çka duhet të bëj, jo çfarë ka ndodhur. Nuk je më opozitar zoti Kurti të kundërshtosh, duhet të tregosh se çka do bësh. Edhe në të shkuarën keni përgjegjësi edhe ju, për qëndrimet që i keni pasur dhe i keni tani”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku tutje ia kujtoi Kurtit kur organizonte protesta të dhunshme kundër nisjes së dialogut pa kushte.

“Më 15 qershor të 2021 Kurti do të udhëtojë në Bruksel për ta takuar Vuçiqin, asgjë e pazakontë këtu, këtë punë kanë burrështetasit. Por më 22 qershor 2012, Kurti kishte organizuar protestat më të dhunshme kundër nisjes së dialogut pa kushte. Kauza duket që s’është më dhe asgjë tjetër s’ka ndryshuar. 10 vite protesta s’mund të kalojnë sikurse s’ka ndodhur. Çka ndodhur me të zhdukurit, kërkim faljen, me pagesën e dëmit me secilin parakusht para dialogut. Këto Zoti Kurti ishin pankaratat e protestave tuaja. Secili e ka kuptuar se këto ishin mashtrim. Parakushtet e dialogut janë bërë tema, e kriteret janë bërë subjekt”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku tutje tha se Kurti në petkun e pushtetit duhet ta kuptojë se dialogut nuk mund t’i iket, dhe se as që duhet të çohet ndërmend fakti që njohja reciproke të mos jetë pjesë e procesit të dialogut.

“Në petkun e ri të pushtetarit besoj se e ke kuptuar se këtyre gjërave nuk mund dhe nuk duhet t’u ikësh. Kam parë që kërkesa për njohje reciproke të mos jetë pjesë e dialogut, dhe bëj thirrje që të mos ndërmerrni asnjë hap dialogues pa këtë pikë”, ka thënë në fund Abdixhiku.