Abdixhiku: Kosova ka nevojë për zhvillim, kur e keni parë kryeministrin të e fillojë apo promovojë ndonjë projekt madhor

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka adresuar kritika në drejtim të Qeverisë Kurti duke thënë se asnjë projekt kapital nuk po merr formë në vendin tonë.

Ai ka shtruar pytejet se “Kur keni parë kryeministrin e Kosovës të fillojë, përurojë apo edhe të flasë për ndonjë projekt madhor kudo në Kosovë? Cilën vendpunishte me punëtorë e ka nisur ai apo kjo Qeveri deri më sot?”.

Kreu i LDK-së thotë se Kosova ka nevojë për zhvillim; e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale.

Postimi i Abdixhikut:

AS EDHE NJË SHENJË E LËNË

Realizimi i investimeve kapitale në Kosovë është më i ulëti në gjithë dekadën e fundit. Po kalon viti i dytë qeverisës, vera e dytë e kohës së punimeve, dhe asnjë projekt kapital nuk po merr formë në vendin tonë. As edhe një shenjë e lënë.

Kur keni parë kryeministrin e Kosovës të fillojë, përurojë apo edhe të flasë për ndonjë projekt madhor kudo në Kosovë? Cilën vendpunishte me punëtorë e ka nisur ai apo kjo Qeveri deri më sot? Premtimet e 40 çerdheve në Kosovë, të 4000 banesave sociale, të rrugëve rajonale, bankave zhvillimore e aseteve sovrane – nuk kanë filluar as edhe në letër. Dhe për aq sa merr kohë një projekt të nis e përfundojë, edhe dy verat e ardhshme të këtij mandati do të shkojnë pa asnjë shenjë të lënë.

Kosova ka nevojë për zhvillim; e zhvillimi nuk mund të reduktohet në disa transakcione bankare të skemave sociale. S’është ekonomia kaq e thjeshtë e shteti s’është vetëm bankë. Kosova megjithatë ka nevojë për projekte të guximshme dhe të mëdha; për investime kapitale në spitale, shkolla, infrastrukturë rrugore, stadiume, salla kulturore e në energji – në pothuajse çdo fushë të jetës publike.

Fukarallëku mendor i kësaj Qeverie po prodhon tkurrje kolektive të gjithë shoqërisë sonë. Kosova sot duket e trishtë krahasuar me tempon e punimeve në secilin shtet në rajon. E në mungesë të projekteve kapitale, le të mjaftohemi me foto shëtitëse, arrogancë qeverisjeje e arsyetime të 20 viteve të shkuara. Është më e lehtë kjo.