Abdixhiku kritika ndaj Qeverisë Kurti: Marrja me zgjedhjet e protestat në Shqipëri në kohë pandemie, papjekuri dhe papërgjegjësi politike

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë sot se marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri nga kryeministri Albin Kurti, ministrat e deputetët e tij në kohën kur nga 80 bashkëqytetarë në javë vdesin nga coronavirusi në Prishtinë dhe kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri dhe papërgjegjësi.

Abdixhiku në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet.

Postimi i Abdixhikut në Facebook:

Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri – nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij – në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi.

Përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që sot pret shpëtim – qoftë madje edhe si solidarizim – është një shembull sjellje prej lideri. Është lidership. Këtë punë, këtë shembull, këtë sjellje kjo Qeveri nuk po e jep dot!

Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet.

Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi!.