Abdixhiku – Qeverisë Kurti: Dorëzoni kërkesën për anëtarësim në NATO sa më shpejt të jetë e mundur

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se tash e tetë ditë siguria e Evropës është në rrezik, pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë.

I pari i LDK-së tha se siguria e kontinentit është vënë në peshoren e siç e ka cilësuar ai, tiranisë së Kremlinit.

“Sot jemi në ditën e tetë të tronditjes botërore si reflektim ndaj këtij agresioni. Tash e tetë ditë siguria e kontinenti tonë është vënë në peshoren e tiranisë së Kremlinit mes kërcënimeve për luftë nukleare e diktatoreve që nuk zgjedhin mjet e forcë për të shtypur popuj me forcë”, tha ai.

Abdixhiku tha se në Ukrainë nuk po mbrohen vetëm themelet e pavarura të një shteti por edhe vlerat e lirisë e paqes.

“Në Ukrainë tash e tetë ditë po mbrohen jo vetëm themelet e pavarura të një shteti dhe jo vetëm e drejta e një populli për të caktuar fatin e vet larg shtypjes, por në Ukrainë tash e tetë po mbron të gjitha vlerat njerëzore të lirisë, paqes, të së drejtës”, tha ai.

Më tutje, lideri i LDK-së theksoi se agresioni i Rusisë në Ukrainë ka bashkuar edhe më shumë Bashkimin Evropian dhe NATO’n.

“Përballë një agresioni të tillë të paprecedent në Evropë qysh nga luftërat e ish-Jugosllavisë, pati një reagim të unifikuar në masë dhe të zëshëm të gjithë botës demokratike. Asnjë ngjarje e mëparme që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk ka arritur që të bashkojë kaq, shpejt, kaq zëshëm e kaq qartë botën demokratike. Ky bashkim solli sanksione, ekonomike, politike, kulturore e sportive”, tha më tutje ai.

Abdixhiku tha se Kosova me të drejtë është rreshtuar krah vendeve perëndimore në qëndrimet e tyre për Ukrainën.

“Kosova natyrshëm dhe me të drejtë u rreshtua në krahë të vendeve demokratike. Si vend i vogël s’mund të ndikojnë në ngjarje me përmasa kaq të mëdha edhe pse ato tek ne ndikojnë. Por sepse jemi pikërisht të vogël ky rreshtim i joni edhe më shumë ka kuptim, si simbolikë por edhe si akt. Ky rreshtim i jep kuptim vendit tonë”, tha ai.

Deputeti i LDK-së më tutje theksoi se Serbia do të mbetet në anën e errët të historisë, duke mbështetur agresionin rus në Ukrainë.

“Ne i njohim mirë edhe tendencat e djeshme dhe të sotshme të shtetit të vetëm pro rus në Evropë, të Serbisë. Fqinji ynë verior me këtë qëndrim tregoi se as nuk beson, e as nuk synon t’i mbajë e t’i promovojë vlerat e njëjta që bota demokratike po i promovon. Fqinji ynë verior do të mbetet në anën e errët të historisë si mbështetës i agresionit rus”, tha më tutje ai.

Më tutje, Abdixhiku tha se është urgjente që të aplikojnë për anëtarësim në NATO.

“Le të nisim një fushatë diplomatike, lobusese e insistuese në çdo qendër të Evropës për të siguruar fillimisht njohjen nga pesë vendet e mbetura e më pas për të siguruar në formë të përshpejtuar në NATO. Ta dorëzojmë kërkesën për anëtarësim sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha ai.