Abdixhiku: Takimi me Kurtin e Osmanin do të mbahet këtë të premte

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se të premten do të takohet me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti dhe u.d e Presidentes, Vjosa Osmani, për tu konsultuar për formimin e institucioneve.

Abdixhiku tuje shtoi se beson që gjatë kësaj jave do të formohen edhe organet drejtuese të LDK-së.

“Po besoj që gjatë javës do të kemi konsolidimin e gjitha organeve drejtuese të LDK-së, dhe do të vazhdojmë konsultimet e brendshme për zhvillimet politike në vend. Takimin e radhës e kemi të konfirmuar me Osmanin dhe kryetarin e LVV-së për këtë të premten në orën 14:30, do të vazhdoj konsultimet me akterët e brendshëm të LDK-së për këtë takim”, u shpreh Abdixhiku.

I pyetur se cili do të jetë roli i LDK-së në zgjedhjen e presidentit, Abdixhiku theksoi se do të jenë konstruktiv.

“Meqenëse jemi në këtë tempull këtu, është se do të punojmë për interesin e Republikës së Kosovës, do të jemi konstruktiv dhe të afërt me njëri-tjetrin duke projektuar idetë tona dhe duke i shërbyer institucioneve të Kosovës që janë ndërtuar me sakrificë të madhe”, u shpreh kryetari i LDK-së.

Abdixhiku këto komente i bëri pas homazheve në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ai tha se sakrifica e Jasharajve u shërben si inspirim dhe motiv për të punuar drejt për këtë vend.

“Jemi ardh këtu për të nderuar themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës, për të kujtuar sakrificën e Jasharajve. Këtë sakrificë jo vetëm që e nderojmë, por ajo na shërben edhe si inspirim dhe motiv për të punuar drejt për këtë vend. Unë bashkë me bashkëpunëtor jemi të interesuar që të shërbejmë mbarë dhe drejt për të kontribuuar për shtetin tonë duke nderuar dhe kujtuar të kaluarën tonë të lavdishme që nis në Prekaz. Falënderoj edhe kryetarin e komunës për pritjen”, tha Abdixhiku.