Haradinaj: Nëse bëhem kryetar nuk do ta lejoj Përparim Ramën ta ndërtojë lagjen e planifikuar në Badovc

Arkitetkti, Përparim Rama tash kandidat për kryetar të Prishtinës pati planifikuar një lagje në afërsi të liqenit të Badovcit.

Anulimin e këtij projekti e pati bërë ministri i atëhershëm i infrastrukturës në qeverinë Kurti I, Lumir Abdixhiku, i cili një vit pas, Përparim Ramën e prezantoi si kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të parin e kryeqytetit.

Të njëjtën po e thotë edhe Kandidati për komunën e Prishtinës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj.

Haradinaj i ftuar në ATV tha se nëse bëhet kryetar i Komunës së Prishtinës nuk do ta lejoj Ramën ta realizoj këtë projekt.

“Nëse bëhem kryetar nuk do ta lejoj atë ta ndërtojë Badovcin, lagjen Badovc do të ja ndaloj më shumë nuk mundem”, tha Haradinaj.

Ndërkaq Haradinaj nuk deshi të komentoj më shumë kandidatët për komunën e Prishtinës.

“Unë mendoj që këta janë shkollë e njëjtë vetëm emra të ndryshëm me kryetarin aktual, Prishtina këtu do të përcaktohet a e dëshirojnë shkollën e njëjtë apo dëshirojnë ta ndryshojnë gjendjen në Prishtinë.”

Ai shtoi se Prishtina duhet të ketë zhvillim pasiqë ka fonde të mjaftueshme.