Abdullahu: Vjosa Osmani krejt kauzën e saj politike e ka ndërtuar duke kritikuar vendimet dhe politikat e LDK-së

Largimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës, e kanë komentuar edhe njohësit e çështjeve politike në vend.

Inicimi për shkarkimin e saj nga kreu i LDK’së, Isa Mustafa, për analistin politik, Faton Abdullahu, është rrjedhë normale e politikave të pasinqerta dhe të gabueshme që janë bërë nga ana e të dyja palëve me njëra tjetrën, sikurse nga ana e Kryesisë së LDK’së, ashtu edhe nga ana e Osmanit kundrejt tyre.

Në një përgjigje për Gazetën Metro, Abdullahu ka thënë se nuk do të mund të kishte funksionuar më tutje një kauzë e përbashkët politike ndërmjet Kryesisë dhe Vjosa Osmanit, kur sipas tij, kjo e dyta e gjithë kauzën e saj politike e ka ndërtuar me vite duke kritikuar dhe dënuar vendimet dhe politikat e LDK’së, andaj edhe në zgjedhjet e fundit kanë prezantuar bashkë një kauzë që ka pasur synim të përçarë.

“Në zgjedhjet e fundit Kryesia e LDK-së dhe Vjosa kanë prezantuar bashkë një kauzë që ka pas themel pa unitet dhe synim të përçarë. Nuk mund të funksionoj një kauzë e përbashkët politike ndërmjet Kryesisë dhe Vjosës kur kjo e dyta krejt kauzën e saj politike e ka ndërtuar me vite duke e sharrë kritikuar dhe dënuar vendimet dhe politikat e Kryesisë që i bije politikat e LDK-së. Ka pasur përpjekje që kjo të paraqitet si unitet i LDK-së, si pjekuri e pajtim, por jo ishte gënjeshtër dhe mashtrim që nuk zgjati dhe që pashmangshëm determinojë këtë fund”, ka thënë Abdullahu për Metron.

Ai tutje ka shtuar se largimi i Osmanit do të ndikojë në pësimin e LDK’së, gjë që siç thotë Avdullahu do kohë që të kuptohet. Mirëpo, shton se disa individë brenda kësaj partie do ta marrin në dorë timonin e këtij subjekti, të cilët Abdullahu thotë se do ta menaxhojnë plotësisht pa problem dhe për kohë të gjatë nuk do të ketë ndryshime ideore brenda LDK’së.

“Tani kemi një situatë ku grupi i Kryetarit Mustafa do ta marrë partinë në dorë dhe menaxhoj plotësisht pa problem dhe për kohë të gjatë nuk do të ketë ndryshime as kadrovike as ideore në LDK”, ka thënë Abdullahu.

Gjatë ditës së djeshme LDK ka mbajtur një proces të votimit online në lidhje me propozimin e liderit të partisë për shkarkimin e Osmanit nga pozitat e saj drejtuese në LDK, pas së cilit ka dalë me një njoftim ku ka treguar se nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm vetëm 53 anëtarë të Kryesisë kanë dalë kundër këtij shkarkimi.