Abrashi tregon prioritetet infrastrukturore gjatë mandatit të tij

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka paralajmëruar se gjatë mandatit të tij do të ketë prioritet ndryshimet infrastrukturore të cilat, sipas tij, duhet t’u përshtaten rrethanave të krijuara si pasojë e pandemisë, transmeton Zëri.info.

Abrashi përmes një shkrimi në Facebook, ka përmendur krijimin e shtigjeve të çiklistëve në rrugët rajonale, si një nga prioritetet gjatë mandatit të tij.

Për këtë ai ka thënë se gjatë javëve në vijim i mirëpret grupet e çiklistëve që të fillojnë punën së bashku në këtë drejtim.

Shkrimi i plotë i Abrashit:

ÇIKLIZMI – Ndryshimet në infrastrukturën rrugore si pasojë e pandemisë.

Pandemia COVID-19, e shfaqur gjatë fillimit të këtij viti, shkaktoi krizë edhe në transport dhe kjo imponon ndryshime edhe në transportin rrugor të Kosovës.

Shumë qytete si Berlini, Parisi, Milano etj, po ndryshojnë politikat investive në infrastrukturën rrugore që t’i përshtaten rrethanave si pasojë e pandemisë.

Prandaj në mandatin tim, prioritet do t’i jap ndryshimeve infrastrukturore duke investuar më shumë në këto fusha:

• Krijimi i shtigjeve të çiklistëve në rrugët rajonale

• Rritje të investimeve në trotuare dhe në zgjerimin e tyre

• Investime më të mëdha në sinjalizim dhe siguri rrugore

• Promovim të transportit ekologjik

Gjatë javëve në vijim i mirëpres grupet e çiklistëve që të fillojmë punën së bashku.