Haxhiu: Qeveria po tenton të legalizojë nepotizmin e korrupsionin

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka folur mbi raportimet për përfshirjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në një skandal të madh financiar në Slloveni, duke thënë se më shqetësuese është përpjekja e pushtetit për ta mbrojtur ambasadorin.

“Niveli i demokracisë dhe ligjshmëria, por edhe gazetaria në Slloveni janë bukur profesionale, nuk lëshohen në spekulime por bazohen në fakte. Më shqetësuese se vetë skandali është përpjekja e pushtetit me e mbrojt, në vend se të distancohen e të dënojnë këtë skandal, ata po dalin me e mbrojt”, tha ai në “Edicionin Special” në Klan Kosova.

Haxhiu sugjeroi se ambasadori do të duhej të paktën të suspendohej, deri në një hetim të plotë të gjithë ngjarjes.

“Këta që po e mbrojnë këtë skandal, në të kaluarën i kanë linçuar të tjerët. Me sa po e shoh, në qeverisjen aktuale po shohim një përpjekje për të legalizuar nepotizmin e korrupsionin. Ata që premtonin luftë kundër krimit e korrupsionit, sot po duan me e legalizu”, u shpreh Haxhiu.

“Ne e pamë që kompania të cilën e udhëheq zoti Berisha, e regjistruar në Mal të Zi, nuk i mohoi ato transaksione, por tha se ata kanë shpifur, nëse kanë shpifur, duhet t’i padisë ata, mirëpo ndërkohë pamë edhe disa publikime tjera në media, që ambasadori paska një kompani, e cila qenka konsulente e një kompanie serbe, e cila ka bërë tregti me energji në kohën e krizës në Kosovë, dhe zoti Berisha nuk e ka të deklaruar në deklarimin e pasurisë këtë kompani”.