Adriatik Kelmendi: Vetëm kjo gjë e ndan Albin Kurtin nga posti i kryeministrit

Nëse Kurti sot i thotë “po” LDK-së, ai do të jetë kryeministër i Kosovës. Nëse Kurti i thotë sot “po” LDK-së, askush nuk mund të garantojë se i propozuari i kësaj të fundit do të jetë president i Kosovës. 61 votat për kryeministër janë, 80 votat për president duhet edhe shumë përpjekje që të sigurohen.

Kështu të pakten konsideron publicisti Adriatik Kelmendi, i cili thekson se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, asnjëherë nuk ka qenë më afër ulëses së kryeministrit të Kosovës.

“Në fakt, s’ekziston as teorikisht një mundësi më e afërt – i nevojitet një sekondë, ose veç dy germa. Germa P dhe germa O.

Se edhe po të duan, Lëvizja Vetëvendosje! dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të mos bëjnë koalicion dhe të mos merren vesh me njëra-tjetrën. Kjo, për arsyen e thjeshtë, se secili opsion tjetër do të ishte shumë më i dëmshëm për të dyja dhe në kundërshtim me vullnetin e shprehur të qytetarëve më 6 tetor.

Vetëm se duhet që të dyja të kenë pak më shumë besim në njëra-tjetrën se që kanë treguar javëve të fundit.

E ky besim duhet të mjaftojë që të dyja të jenë të gatshme t’i lëshojnë nga pak pe njëra-tjetrës, në mënyrë që rezultati i korrur në zgjedhje të përkthehet në realitet”, tha Kelmendi, në një analizë të publikuar në Koha.net