Kurti takohet me ambasadoren e Suedisë, flasin për sigurimin e dozave të tjera të vaksinave antiCOVID

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck me të cilën e njoftoi për angazhimin e Qeverisë për sigurimin e dozave tjera të vaksinës antiCOVID.

Gjatë këtij takimi, Kurti dhe  Hernmarck lidhur me projektet dhe programet që shteti i Suedisë mbështetë në Kosovë, e të cilat fokus kanë integrimin ekonomik me BE-në, fuqizimin e demokracisë, respektimin e të drejtave të njeriut, dhe çështjet ambientale.

“Duke u nisur nga bashkëpunimi i mirë që ka pasur me Qeverinë Kurti 1, Hernmarck ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Suedisë që bashkëpunimi në mes dy vendeve dhe dy qeverive të vazhdojë me intensitet të shtuar drejt avancimit të mëtejmë të tyre”.

Kurti gjatë takimit tha se Suedia është sa partner ashtu edhe model për Republikën e Kosovës në synimet e saj për zhvillim ekonomik, barazi sociale dhe mbrojtje të ambientit.

“Ndër të tjera, kryeministri Kurti e njoftoi ambasadoren e Suedisë rreth fillimit dhe mbarëvajtjes së procesit të vaksinimit dhe për angazhimin e pareshtur të Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e dozave të tjera të vaksinave kundër COVID-19. Deri atëherë e edhe pas, është shumë e rëndësishme që të gjithë t’i përmbahemi me përpikëri masave preventive për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të virusit corona”, përfundoi kryeministri Kurti.