Afati i aplikimit në KQZ për zgjedhjet lokale mbyllet të hënën

Zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë të hapura këtë fundjavë për të pritur aplikimet e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale të 17 tetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se deri në mesditën e së shtunës KQZ ka pranuar aplikimin për certifikim të 27 subjekteve politike.

“Deri në mesditën e ditës së shtunë, KQZ-ja ka pranuar aplikimet nga 27 subjekte politike, prej të cilave 5 parti politike, 9 iniciativa qytetare dhe 13 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të këtyre subjekteve politike është: 13 kandidatë për Kryetarë të Komunave dhe 182 kandidatë për Kuvende Komunale”, tha ai në një prononcim për IndeksOnline.

Elezi bëri të ditur se afati i fundit i subjekteve politike për të aplikuar është dita e hënë, 16 gusht, deri në orën 16:00.

“Subjektet politike kanë kohë që deri të hënën, më 16 gusht, në orën 16:00, të dorëzojnë aplikimet e tyre së bashku me emrat e kandidatëve, në të kundërtën çdo aplikim pas kësaj kohe do të konsiderohet si aplikim i pasafatshëm, çka do të thotë se nuk do të rekomandohet për certifikim”, tha Elezi.