‘Afera Vaji’: Raportohet se hetuesit kanë shkuar në MINT për vajin e paguar që mungon

Ky ‘zbarkim’ në ministri besohet të ketë ndodhur për shkak të skandalit të vajit nga Polonia që dyshohet se nuk kishte ardhur asnjëherë në Kosovë, për të cilën aferë kishte raportuar gazeta Nacionale.

Nacionale ka raportuar që hetuesit nga Policia e Kosovës kanë ‘zbarkuar’ në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) poashtu.

Ministrja Rozeta Hajdari nuk kishte folur asnjëherë për këtë çështje pas publikimit të skandalit për të dhënë ndonjë sqarim në lidhje me çështjen. Nuk kishte folur as kryeministri Albin Kurti në mënyrë specifike.

Nacionale kishte publikuar një përgjim në të cilin dy zyrtarë të kësaj ministrie flisnin për këtë aferë. Ata e përmendnin edhe Ridvan Muharremin, një të afërm të kryeministrit Albin Kurti të cilit në një moment i referohen edhe si “dallaverxhi”.

Kompania polake prej të cilës ishte blerë vaji për Rezervën Shtetërore i cili dyshohet që nuk ka ardhur asnjëherë në Kosovë quhej Xanto dhe ajo nuk ishte lajmëruar më. Veprimtaria e kësaj kompanie ishte “krejt diçka tjetër”, tregonte gazetari Berat Buzhala në përgjimin e lëshuar.

Hetuesia kishte qenë edhe në zyrat e medias Nacionale dhe e kishte marrë audio-incizimin ku dëgjoheshin dy zyrtarët e ministrisë duke folur për këtë skandal.