Afërsia e Vjosa Osmanit me Albin Kurtin, kërkohet kalimi i saj në Vetëvendosje

0
261

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ka pozitën më të lartë shtetërore në institucionet e tanishme të Kosovës, kryeparlamentarja Vjosa Osmani sonte edhe hapur është radhitur krah Kurtit përballë partisë së saj.

Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani ka raport të afërt me shumë zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk kanë qenë të rralla rastet kur Osmani është radhitur krah Kurtit për vendime me të cilat partia e saj nuk pajtohet, shkruan lajmi.net.

Madje, Osmani, shumë shpesh kishte heshtur edhe kur Lidhja Demokratike e Kosovës alarmonte se marrëdhëniet Kosovë – SHBA po rrezikohen nga mos-dëgjueshmëria e Kurtit.

Rasti i fundit kur Osmani nuk u deklarua ishte për paralajmërimin e SHBA-ve për tërheqjen e trupave ushtarake nga Kosova në rast se Kosova nuk e heq taksën.

Për këtë gjë, reaguan pozitë e opozitë, madje reagime të ashpra pati edhe nga LDK, por Vjosa Osmani nuk e tha as edhe një fjalë të vetme, duke lënë të kuptohet kështu se ishte përkrah Kurtit.

As dje, kur Kurti mori vendim për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, Osmani nuk e tha as edhe një fjalë të vetme.

E kjo heshtje e çuditshme e saj, epilogun e mori pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, kur u bë e ditur nga vet ajo se ka votuar kundër mocionit për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Vjosa Osmani votoi kundër mocionit të mosbesimit

Ajo ka bërë të ditur se së bashku me Lumir Abdixhikun nuk e kanë përkrahur këtë mocion, gjë që është bërë e ditur edhe nga ministri i shkarkuar, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Ndërkaq, mbetet të shihet se cilat do të jenë vendimet e kryeparlamentares Osmani karshi qëndrimit zyrtar të partisë së saj.

Mirëpo këtu nuk përfundon gjithçka. Me përkrahjen që i ka dhënë Kurtit, Vjosa Osmani e ka fituar simpatinë edhe të militantëve të Vetëvendosjes.

Të njëjtit në rrjete sociale kanë hapur llogari të reja, ku i bëjnë thirrje asaj që t’i bashkohet partisë së Kurtit.

Madje faqe të tilla në rrjete sociale kanë edhe postime të sponzorizuara për shtimin e audiencës, çka do të thotë se personat që i kanë hapur paguajnë para për këto llogari.