Agim Veliu i del kundër Albin Kurtit dhe kërkon të hiqet taksa 100 %

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe njëherit Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka dalë kundër propozimit të “shefit” të tij- kryeministrit Albin Kurtin për taksën 100 % ndaj mallrave serbe.

Ai në një deklaratë të shkurtër për Gazeta Blic ka theksuar se kjo taksë duhet të hiqet sa më parë.

“Ne si LDK e kemi dhënë qëndrimin tonë zyrtar. Pra, edhe unë jam që taksa të hiqet ashtu siç po e kërkojnë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë- në këtë rast amerikanët, që taksa të hiqet e tëra”.

I dyti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka theksuar se Kosova duhet të bashkëpunoj ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I pyetur se nëse kryeministri Albin Kurti do ta sjellë në qeveri propozimin e tij që taksa të hiqet shkallë- shkallë, e jo tërësisht si do të veproj LDK, ai tha se për këtë duhet të diskutohet në organet e partisë.

“Për këtë çështje duhet të vendosin organet e LDK-së se si do të veprohet”.

Ditë më parë, gazeta ka raportuar se LDK nuk do ta votojë këtë propozim të Kurtit në Qeveri.

Sipas burimeve të Gazeta Blic, Kurti nuk do t’i ketë votat e mjaftueshme në qeveri për ta kaluar këtë propozim, për faktin se pos 7 votave të LDK-së, i ka edhe dy vota të Listës Serbe kundër.

Ndërkohë, edhe gjatë ditës së djeshme emisari i Presidentit Trump për bisedimet Kosovë- Serbi, Grenell ka kërkuar sërish që të hiqet taksa ndaj mallrave serbe.

Madje, ai ka kërcënuar se nëse nuk hiqet kjo taksë, Kosova nuk do të mund të mbështetet në ndihmën ekonomike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, zyrtarja e LDK-së, Melihate Tërmkolli ka kërkuar që LDK të dalë nga Qeveria.

“A janë në terezi këta të qeverisë apo kanë shkalluar?! As diktatori Enver Hoxha në kohë të tij sigurisht nuk do t’i referohej SHBA-ve me kaq poshtërim e papërgjegjësi se që po i referohet Kryeministri Albin Kurti dhe këshilltarët e tij (Erzen Vraniqi, Elvis Hoxha etj).

Kryeministri Kurti dhe këshilltarët e tij janë shembulli më eklatant i sjelljes së pashembullt në gjithë historinë politike të Kosovës, ndaj përfaqësuesëve më të lartë të SHBA-ve, Presidentit të saj z. Donald Trump dhe të dërguarit të tij special për të ndihmuar bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, z. Grenell”, ka deklaruar ajo.

Tutje, Tërmkolli thotë se veprimi më i mirë që LDK-ja mund të marr sot është tëheqja nga qeveria.

“Kjo papërgjegjësi aq e madhe ndaj vendit më miqësor dhe më kontribues për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, jo veç ka vënë në shkallën më të ulët raportet tona shtetërore e miqësore por ka shkelur edhe mbi normat dhe kodet më elementare të sjelljes politike ndaj një vendi siç është SHBA. Veprimi më i drejtë është tërheqja urgjente e LDK-së nga qeveria dhe gjetja e rrugëve për rikuperimin e marrëdhënieve tona me SHBA dhe me të gjitha shtetet tjera mike e partnere si dhe ngritja e përgjegjësisë institucionale përfaqësuese në nivelin më të lartë të interesave të vendit tonë”, ka thënë ajo.