Agjencia Kundër Korrupsion nis hetimet për shefin e stafit të Kurtit, dyshohet se fshehu bizneset

Agjencia Kundër Korrupsion ka nisur hetimet për Luan Dalipin, shefin e stafit të kryeministrit Albin Kurti, për të cilin u raportua se në deklarimin e pasurisë nuk i ka paraqitur tri biznese.

Në formularin që ai e ka dërguar në Agjencinë Kundër Korrupsionit për vitin 2021, rubrikën për posedim të aksioneve në shoqëritë tregtare e ka lënë të zbrazët, raporton Demokracia.com.

Në media është raportuar se ai është bashkëpronarë në tri biznese, të cilat në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve e kanë statusin e bizneseve aktive.

Agjencia Kundër Korrupsion në një përgjigje për Demokracia.com ka thënë se nga monitorimi i rregullt i mediave që bënë kjo agjenci ka identifikuar informatat lidhur me biznesin e Luan Dalipit dhe është duke u verifikuar rasti nga departamentet përgjegjëse.

“Agjencia në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se të kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi. Zhvillimi i hetimeve dhe kontrollit të pasurisë realizohet pa paragjykime etnike, gjinore, gjuhësore, fetare dhe të tjera të subjekteve deklaruese”, kanë thënë nga Agjencia Kundër Korrupsion për Demokracia.com.

Ditë më parë, Dalipi në një postim me gjuhë të rëndë ishte shumë i ashpër edhe kundër mediave.

“Qeveria do të udhëhiqet nga principi i transparencës absolute dhe jemi për bashkëpunim etik dhe sipas ligjit me mediat që nuk e shkelin ligjin …”. Kjo ishte fjalia më e butë që përdori shefit i stafit të kryeministrit nëpërmjet një shkrimi në Facebook, duke sulmuar në mënyrë të paprecedent mediat në Kosovë. Por, jo transparent me publikun dhe me vetë ligjin është treguar vetë Luan Dalipi, që është shef i stafit të kryeministrit Albin Kurti.