Agjentë të FBI-së trajnuan 27 punonjës të IPK-së për luftim të korrupsionit

Sot në objektin e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) në Vushtrri përfundoi trajnimi i realizuar nga ICITAP-i amerikan ku morën pjesë 27 punonjës të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Lajmin e ka bërë me dije vetë IPK-ja, përmes një komunikate për media, ku thuhet se ky trajnim është vazhdimësi e përkrahjes së IPK-së nga ICITAP-i amerikan në fuqizimin e kapaciteteve profesionale në fushën e hetimeve.

“Ligjërues të këtij trajnimi ishin ekspertë të lartë të FBI-së (Federal Bureau of Investigation – Byroja Federale e Hetimeve) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë edhe Kryeshefja e IPK-së Miradije Kelmendi e cila në fjalën e saj të rastit falënderoi ekspertët dhe zyrtarët e ICITAP-it për kontributin e tyre në rritjen e profesionalizmit në IPK”, thuhet në njoftim.

Pjesë e ceremonisë ishin gjithashtu edhe udhëheqësja e programit të ICITAP-it në Kosovë, Kimberly Rife dhe drejtori i AKSP-së, Smajl Smakiqi të cilët vlerësuan lart rëndësinë e fuqizimit të kapaciteteve të IPK-së në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.