AGK-ja thirrje Policisë: Të respektohet puna e gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka deklaruar se është tejet i shqetësuar si pasojë e zhvillimeve nga protesta e PSD-së, kundër Ekaterina Trendafilova – kryetare e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, ku sipas tyre, është hedhur sprej dhe gaz lotsjellës në drejtim të gazetarëve.

Sipas AGK-së, nga ky veprim i policisë, kanë pësuar Elmedina Ballazhi dhe Pleurat Salihu, i cili edhe është alivanosur, Hasan Hoti dhe Rrahman Osmani, si dhe të tjerë.

“Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, kjo sjellje e Policisë së Kosovës është absolutisht e papranueshme dhe e dënueshme, andaj i bën thirrje që të respektojë punën e gazetarëve, si dhe të mos i pengojë ata gjatë kryerjes së detyrave të tyre profesionale. Njëherësh, u bëjmë thirrje kolegëve që raportojnë nga terreni të bartin me vete ID-të e tyre të punës, si dhe jelekët me mbishkrimin PRESS, ashtu që të identifikohen që janë punonjës të medieve, dhe jo protestues”, thuhet në njoftim.

Nga kjo protestë janë arrestuar gjashtë anëtarë të PSD-së.