Haziri thotë se s’i kanë votat, por mbështetin çfarëdo mocioni të suksesshëm mosbesimi

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vazhduar sërish me thirrje në drejtim të partive opozitare për të përkrahur mocionin e mosbesimit iniciuar nga subjekti që ai përfaqëson.

Haradinaj i’u bëri thirrje të enjten në Kuvend të gjithë deputetëve ta votojnë mocionin e iniciuar nga AAK-ja, pasi Qeveria është në rrugë të gabuar.

Një thirrje e tillë erdhi edhe pas takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, takimi i cili përfundoi pa rezultat.

Ai deklaroi se nëse nuk reflekton Kurti, atëherë është përgjegjësi e opozitës që të veprojnë urgjentisht për ta dërguar vendin në zgjedhje, duke e shkarkuar Kurtin përmes mocionit të mosbesimit.

Në lidhje me kërkesën e kreut të AAK-së për t’u përkrahur mocioni për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ka folur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Haziri se arsyet për mosbesim ekzistojnë gjithmonë por duhet numër i deputetëve për ta përkrahur.

Ai vlerësoi se LDK-ja mbështet një mocion të suksesshëm ndërsa në këtë situatë është mision dhe angazhim i pasukseshëm

“Iniciativa e zoti Haradinaj për mocion mosbesimi nuk është e sotshme, ka disa muaj që e ka fillu mocionin. Për LDK-në nuk ka ndryshu asgjë gjendja as në raport me zhvillimet brenda apo jashtë. Arsyet për një mosbesim ekzistojnë githmonë por duhet numër i deputetëve për ta përkrahur, duhen 61 deputetë për ta përkrahur. LDK mbështet një mocion të suksesshëm ndërsa në këtë situatë është mision dhe angazhim i pasukseshëm, sepse nuk jemi masë kritike për ta bërë të suksesshëm”, deklaroi Haziri, raporton Gazeta Blic.

Pas tensioneve të muajve të fundit në veri të vendi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës inicioi mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.

Ky mocion deri tani nuk ka gjetur përkrahje nga subjektet politike opozitare.

“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion mosbesimi për Kryeministrin Kurti. Mocioni bazohet në dy zhvillimet e fundit, i pari është rrezikimi i sovranitet dhe i sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me ShBA dhe BE. Do të fillojmë diskutimet me spektrin politik me shoqërinë në përgjithësi. Besoj që mocioni është zgjidhje për këtë situata të krijuar. Kryeministri Kurti në vend që të bashkëpunoj me ShBA, ka bërë një plan të vetin, nuk ka bashkëpunuar me Amerikën po ka nxit një konflikt në veri që i konvenon Serbisë dhe Rusisë”, tha Haradinaj muaj më parë.