Aida Birinxhiku, shqiptarja e parë në parlamentin suedez që premton angazhim për vizat dhe Kosovën

0
86

Aida Birinxhiku nga Kosova është deputetja më e re në Parlamentin e Suedisë. Birinxhiku është vetëm 23-vjeçare dhe arriti që të siguroj vota të mjaftueshme duke u bërë deputetja e parë shqiptare në këtë shtet. Ajo ka rrëfyer rrugëtimin e saj.

Birinxhiku tregoi se nuk do ta lë anash Kosovën, tani që është zgjedhur deputete premtoi se do të punojë për liberalizimin e vizave.

“Si deputete unë dua të punoj për liberalizimin e vizave dhe procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha ajo.

E diplomuar si juriste dhe e rritur në një vend të huaj, ajo ka një lidhje të fortë me Kosovën.

“Prindërit e mi kanë emigruar në Suedi në vitin 1998. Babai im me profesion është doktor ndërsa nëna ime është edukatore. Prindërit e mi janë nga Peja. Përpiqem ta vizitoj Pejën çdo verë”, pohoi Birinxhiku.

Ndërkaq, ajo deklaroi se në Suedi do të angazhohet në sferën e edukimit në mënyrë që të gjithë fëmijët të shkollohen njësoj, pa dallime.

“Do të angazhohem që të gjithë fëmijët, qofshin ata të huaj, të pasur apo të varfër, të kenë kushte të njëjta shkollimi. Është e rëndësishme që çdo fëmijë të ketë sukses në shkollë, e veçanërisht fëmijët që vijnë nga shtete të tjera në Suedi. Edukimi është një rrugëdalje nga kriminaliteti, tjetërsimi dhe varfëria”, u shpreh deputetja kosovare në Suedi.

Birinxhiku shkëlqeu në fushatën elektorale që u mbajt në Suedi, duke qenë një nga kandidatet në 5-shen e parë të Partisë Socialdemokrate.

Intervista e plotë:

Gazeta Insajderi: Na përshkruani rrugëtimin tuaj si arritët të siguroni ulëse në Parlamentin e Suedisë?

Unë fillova aktivizmin tim politik në shoqatën e të rinjve socialdemokrate në Halland në 2015, ku për një kohë isha edhe kryetare. Më pas u zgjodha në këshillin bashkiak në Falkenberg në vitin 2018. Ndërsa sot jam juriste e diplomuar dhe deputete në parlamentin suedez.

Jeni vetëm 23-vjeçare dhe tashmë jeni një emër i njohur në politikën suedeze, kur filluat të merreni me politik?

Unë u interesova për politikën suedeze në vitin 2014, pas zgjedhjeve të 2014. Më pas fillova aktivizmin tim politik në shoqatën e të rinjve socialdemokrate.

Cilat janë disa nga synimet tuaja kryesore si deputete në Suedi?

Edukimi për mua është shumë i rëndësishëm. Unë do të angazhohem që të gjithë fëmijët, qofshin ata të huaj, të pasur apo të varfër të kenë kushte të njëjta shkollimi. Është e rëndësishme që çdo fëmijë të ketë sukses në shkollë, e veçanërisht fëmijët që vijnë nga shtete të tjera në Suedi. Edukimi është një rrugëdalje nga kriminaliteti, tjetërsimi dhe varfëria.

Si e pritët ju dhe të afërmit e juaj lajmin që keni arritur të bëheni deputete?

Ishim shumë të lumtur. Jam shumë krenare dhe e nderuar që fitoj këtë mbështetje dhe besim nga populli suedez.

Cila është lidhja juaj me Kosovën dhe a do të angazhoheni tani si deputete për të përforcuar imazhin e këtij vendi?

Unë jam lindur dhe rritur në Suedi, por prindërit e mi janë nga Peja. Përpiqem ta vizitoj Pejën çdo verë. Si deputete unë dua të punoj për liberalizimin e vizave dhe procesin integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Katër shqiptarë ia mësynë Parlamentit të Suedisë në zgjedhjet që u mbajtën në këtë muaj. Me votat e numëruara Adnan Dibrani dhe Birinxhiku do të jenë pjesë e kabinetit.