AKI: Në Rashkë po bëhen stërvitje për destabilizimin e veriut

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka informacione që në Rashkë të Serbisë po zhvillohen stërvitje që qëllim kanë destabilizimin e veriut të Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar Ganimete Musliu, kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Këtë informacion Musliu tha se ua ka dhënë drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti që raportoi të mërkurën në këtë Komision.

Sipas saj, pjesëtarë të të ashtuquajturës Mbrojtje Civile po trajnohen në Rashkë për gjuajtje me armë e taktizime që synim kanë ta destabiliziojën veriun.Pjesë e këtyre organizimeve, ajo tha se është edhe Lista Serbe që po ndikon në frikësimin dhe linçimin e serbëve në atë pjesë në prag të mbajtjes së zgjedhjeve.

“E ashtuquajtura Mbrojtja Civile në bashkëpunim edhe me Listën Serbe atje në vazhdim kanë aktivitete në veri të vendit. Pjesëtarët e kësaj organizate po trajnohen në Rashkë për veprime desatbilizuese në Kosovë. Atje vazhdon djegja e veturave të qytetarëve me targa RKS. Po ashtu linçimi dhe presoni është rritur ndaj prestarëve që nuk i binden Listës Serbe. Prandaj, si shtet duhet të përgatitemi për çdo provokim të situatës që mos të na zë në befasi. AKI po e kryen punë me sukses dhe e ka përkrahen e Komisionit për veprime konkrete. Unë flas zyrtarisht si institucion, është e konfirmuar – janë duke u stërvitur në Rashkë që mund të merren në veri të Kosovës, ka stërvitje, gjuajte me armë, taktizim”.

Përderisa për gjendjen e sigurisë në pjesën tjetër të vendit ajo tha se kanë marrë garanci se gjithçka është nën kontroll.

“Nga drejtori u njoftuam rreth gjendjes së sigurisë në vend. Drejtori na raportoi në detaje për punën dhe aktivitetet e tij. Ky ishte një raportim i rregullt, por fokusi ishte në gjendjen e sigurisë ne veri të vendit ku tash edhe jemi në prag të zgjedhjeve. Gjendja e sigurisë në Kosovë konstatohet të jetë stabile në përjashtim të katër komunave në veri të vendit ku ka tendenca për destabilizim”.