AKP: Fondit Sovran pritet t’i barten 41 mijë hektarë tokë, 24 objekte administrative dhe 70 asete të ndërmarrjeve

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për herë të parë qëkur është inicuar themelimi i Fondit Sovran nga kryeministri aktual, kanë bërë publike shifrat që do t’i barten këtij fondi.

Zëvendësuesi i drejtorit menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Avni Jashari, gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi dje, tha se Fondit Sovran pritet t’i barten 41 mijë hektarë tokë, 24 objekte administrative dhe 70 asete të tjera të ndërmarrjeve.

Ai nuk përcaktoi ndonjë afat kohor se kur do të ndodhë kjo bartje, por tha se transformimi i pronave do të ndodhë vetëm atëherë kur të miratohet ligji në Kuvend të Kosovës për krijimin e Fondit Sovran, përcjell Buletini Ekonomik.

Kjo pak a shumë i bie që bartja e sipërfaqes së lartcekur të tokës, objekteve administrative dhe aseteve të tjera numerikisht të përmendura nga zëvendësuesi i drejtorit menaxhues të AKP-së, do të ndodhë pasi që të miratohet ligji në Kuvend të Kosovës për krijimin e Fondit Sovran.

Sipas këtij zyrtari, AKP-ja tashmë ka miratuar strategjinë përmbyllëse të Agjencisë për tri vjetët e ardhshme, ndërsa sfida më e madhe për vitin 2022, mbetet përgatitja e listave të punëtorëve nga ndërmarrjet, të cilët do të jenë përfitues të 20 përqindëshit nga shitjet (privatizimet) e ndërmarrjeve të tyre.

Ndërkohë, Syzana Dautaj Surdulli, zëvendëskryesuese e Bordit të AKP-së, ka njoftuar para Komisionit për Ekonomi se për vitin 2022, Agjencia Kosovare e Privatizimit kanë planifikuar t’i shkurtojë shpenzimet në paga dhe të tjera në mbi 2, 5 milionë euro.