Aksident i maturantëve në Bujanoc, dy me lëndime të rënda

Në magjistralen Bujanoc- Gjilan në afërsi të fshatit të Turi është aksidentuar një veturë me të cilën udhëtonin 3 maturantë nga shkolla e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc për mbrëmjen e maturës.

Sipas dëshmitarëve prezent vetura ka dalë nga rruga dhe është rrotulluar në pjesën e arave përskaj rrugës mirëpo shkaqet akoma nuk dihen deri sa të jep raportin zyrtar policia lokale, shkruan Titulli.com.

Jo zyrtarisht Titulli.com ka mësuar se dy maturantë janë dërguar në spitalin e Nishit të cilët kanë lëndime të rënda trupore ndërsa njëri prej tyre pas ekzaminimit mjekësorë në qendrën spitalore të Vrajës është kthyer për shtëpi.

Nxënësit e shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc sot kanë organizuar festën e mbrëmjes së matuarës në një nga restorantet lokal ndërsa shkolla në shenjë solidarizimi ka ndryshuar agjendën e organizimit.

“Duke u solidarizuar me maturantët e lënduar, këshilli i prindërve, i nxënësve, i kujdestarëve, disa anëtarëve te këshillit të shkollës, drejtoria e shkollës mori qëndrim që mbrëmja e maturës të përfundoje ora 22:00. Urojmë që nxënësit e lënduar të shërohen sa më shpejtë”, thuhet në njoftimin e shkollës së mesme në Bujanoc.