Nis protesta e veteranëve para Kuvendit, numër i madh i pjesëmarrësve

Veteranët e luftës së UÇK-së kanë filluar protestën para Kuvendit të Kosovës në shenjë proteste të mos përfshirjes së tyre në ngritjen e pagës minimale, raporton Ekonomia Online.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se veteranët ndihen të diskriminuar për shkak të anashkalimit të tyre.

Të pranishëm janë një numër i madh i protestuesve.

Veteranët e UÇK-së që po protestojnë para institucioneve, kanë thyer rrethojat e Kuvendit të Kosovës, ndërkohë, policia ka gjuajtur gaz lotsjellës për t’i larguar protestuesit.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë (OVL-UÇK), Faton Klinaku në protestën e organizuar sot, tha se pushteti aktual po dëshiron t’i largojë veteranët nga paga minimale.

“Ky pushtet po dëshiron që ti heq veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale. Deputetët duhet t’ju shërbejnë interesave të atyre që i sollën në ulëse të kuvendit, e jo interesave të politikës ditore”, u shpreh Klinaku.

Ai tutje shtoi se për lirinë për të cilën luftuan do të jenë të gatshëm të mobilizohen sa herë të jetë nevoja.

“Lirinë jo vetëm që duhet gëzuar me mençurinë më të madhe por atë duhet ruajtur e kultivuar në vijimësi si akti më i lartë njerëzor. Për këtë liri ne do të jemi të gatshëm të mobilizohemi sa herë të thërret zëri i atdheut Sot dëshmojmë se tentimet për mohimin e gjithë kontributit dhe sakrificave të luftëtareve të UÇK-së nga ana e institucioneve nuk do të kenë sukses”, tha Klinaku.

Klinaku theksoi se sot duhet të protestojnë për vlerat e asaj lufte që na solli deri këtu , të protestojmë sepse po u mohohet lufta që e bënë e po ju shkelen të drejtat.

“Jemi kategori ligjore, në momentet e fundit nga ana e Qeverisë na është sakatosur ligji. Kemi shpresë që ky ligj mos të miratohet në Kuvend. Do të vazhdojmë me protesta deri në realizimin e kërkesave tona”, tha Klinaku.