Aksidenti i rëndë në Klinë, policia jep detaje të reja

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmë në Grabanicë të Klinës, ku si pasojë e tij janë lënduar 18 persona.

Në këtë aksident u përfshinë katër vetura.

Sipas policisë, deri të aksidenti ka ardhur pasi një nga veturat kishte goditur tri tjerat, të cilat po lëviznin në kahjen e kundërt.

“Ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë katër (4) vetura. Deri te aksidenti ka ardhur kur i dyshuari mashkull kosovar derisa ishte duke drejtuar veturën, nga pakujdesia ka goditur tri vetura të cilat ishin duke lëvizur në kahjen e kundërt” thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, policia ka dhënë detaje edhe mbi gjendjen e të përfshirëve në aksident.

“Si pasojë e aksidentit, lëndime trupore kanë pësuar 18-persona (meshkuj dhe femra kosovarë), tre prej tyre fëmijë të moshave të ndryshme. Të lënduarve u është ofruar tretman mjekësor, ku shtatë prej tyre janë ndaluar për trajtim mjekësorë, ndërsa të lënduarit tjerë (11) pas tretmanit mjekësor janë liruar. Rasti është duke u hetuar.”

Mbi aksidentin detaje dha mbrëmë edhe Spitali i Pejës.

Sipas Spitalit, në mesin e të lënduarve kishte dhe gra shtatzëna dhe fëmijë.

“Ndonëse është herët për konstatime gjendja e të lënduarëve aktualisht është stabile dhe besojmë jashtë rrezikut për jetë.

Mjekët dhe ekipet kujdestare po bëjnë të pamundurën që të ofrojnë përkujdesin e nevojshëm shëndetësor secilit të lënduar.

Deri më tani 3 pacientë është dërguar në QKUK, 5 pacientë janë shtrirë për trajtim të mëtutjeshëm ndërsa pacientët e tjerë pas trajtimit janë liruar për shërim në shtëpi” ka deklaruar Spitali.