Aksidentohet vetura zyrtare në Kaçanik, lëndohen gjashtë persona

Gjashtë persona janë lënduar në një aksident trafiku në fshatin Kovaçec të Kaçanikut. Në këtë aksident e përfshirë ishte edhe një veturë zyrtare komunale.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi. Ai në një postim në “Facebook”, konfirmoi se tre nga të lënduarit janë zyrtarë komunalë.

Njoftimi i plotë:

Të dashur qytetarë

Sot gjatë ditës, në fshatin Kovaçec ka ndodhur një aksident ku është përfshirë një veturë zyrtare e komunës.

Nga ky aksident kanë pësuar lendime 6 qytetarë, 3 prej tyre zyrtarë publikë të komunës. Pas marrjes së informacionit kam dalë në vendngjarje dhe jam interesuar nga afër për gjendjen e tyre shëndetësore.

Të lënduarit po marrin trajtimin e duhur mjekësor, ndërsa do t’ju mbajmë të njoftuar për gjendjen e tyre.

Me këtë rast u bëj thirrje shoferëve për kujdes të shtuar në komunikacion!