Aksion i madh i policisë në Kodrën e Trimave

Policia e Kosovës në orët e para të mëngjesit ka nisur një operacion policor në lagjen Kodrën e Trimave në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka konfirmuar për Gazetën Express se policia është duke realizuar një operacion, por detajet do të bëhen të ditura më vonë.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës është duke realizuar një operacion policor, për detaje ju njoftojmë ndërkohë pas përfundimit të operacionit policor”, ka thënë Kelani për Express.

Dimë që ditë më parë Policia e Kosovës zhvilloi një aksion të madh në disa vende të Kosovës; në katër komunat e veriut, Skenderaj dhe Drenicë.

Vetëm në veri u arrestuan më shumë se 30 persona, përfshirë 19 zyrtarë policor, që po dyshohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.