Akuzohej për korrupsion, Gjykata merr vendim për ish-kryetarin e Suharekës

Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur të pafajshëm ish-kryetarin e Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Nga një akuzë e tillë, janë liruar edhe ish-drejtori i Arsimit, Sherif Berisha dhe ish-drejtori i shkollës “Bajram Curri”, Milazim Hajdari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani, i cili ka thënë se nuk është vërtetuar se tre të akuzuarit e kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.

Ai ka thënë se shpenzimet e kësaj procedure penale bien në barrën e kësaj gjykate.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 22 tetor 2018, i pandehuri Sali Asllanaj dyshohet se prej 1 shtator 2014 deri më 27 nëntor 2014, në cilësi të personit zyrtar, kryetar i Komunës së Suharekës, se duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, Asllanaj, si kryetar i Komunës së Suharekës, pa procedurë të tenderimit, nënshkruan marrëveshjen për mirëkuptim dhe bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope” për projektin “Transporti i nxënësve”, duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren financiare, me ç’rast i shkakton dëm buxhetit të Kosovës në shumën totale prej 10.556.00 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës