Klinaku tregon se cilat janë përfitimet nga parimi i reciprocitetit

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjës për Bashkim, Avni Klinaku ka përmendur disa nga përfitimet e parimit të reciprocitetit, shkruan Fokusi.info.

Klinaku në profilin e tij në FB ka shkruar se vendosja e reciprocitetit të plotë, me vendim, nga ana e një shteti, është një gabim qesharak, e, për më tepër, ka pasoja të padëshiruara. Ka qenë gabim vendosja e tij nga ana e qeverisë VV-LDK dhe do të ishte gabim vendosja e tij tani nga Qeveria Kurti. Reagimet e shumta ndaj Qeverisë Kurti për këtë çështje vijnë nga shkaku i demagogjisë elektorale e jo për shkak të mosvendosjes së reciprocitetit.

Postimi i plotë:

Pak më seriozisht për reciprocitetin!

Reciprociteti është një parim i pashkruar ndërkombëtar, i cili i balancon marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.

Vendosja e reciprocitetit të plotë, me vendim, nga ana e një shteti, është një gabim qesharak, e, për më tepër, ka pasoja të padëshiruara. Ka qenë gabim vendosja e tij nga ana e qeverisë VV-LDK dhe do të ishte gabim vendosja e tij tani nga Qeveria Kurti. Reagimet e shumta ndaj Qeverisë Kurti për këtë çështje vijnë nga shkaku i demagogjisë elektorale e jo për shkak të mosvendosjes së reciprocitetit.

Reciprociteti vendoset e zbatohet për fusha të caktuara dhe për çështje të caktuara e kurrsesi en bloc.

Në situatën tonë, vendosja e këtij parimi në dialogun më Serbinë do të ishte një hap shumë i madh i Kosovës dhe do të ndihmonte shumë në përfundimin e këtij dialogu në dobi të Kosovës. Ai do të dukej pak a shumë kështu: Çkado që Serbia ka marr e kërkon për serbët në veri të Kosovës (Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok) duhet të jap për shqiptarët në Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë). Kaq e thjeshtë është!

Kjo qasje e Kosovës ndaj reciprocitetit, ndaj dialogut, ndaj Serbisë do t’i kishte këto përfitime: 1) Do t’i zbrapste kërkesat shoviniste të Serbisë, 2) Do t’i ndihmonte shumë shqiptarët në Kosovën Lindore, 3) Do ta ndihmonte pjesën veriore të Mitrovicës së ndarë (kjo nuk mund të jetë çështje e reciprocitetit deri sa aty është kryer spastrimi etnik), 4) Do t’i balanconte marrëdhëniet Kosovë-Serbi, marrëdhëniet shtet-shtet, dhe, si rrjedhojë, 5) Do ta forconte pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.