Albin Kurti mbi 1300€, Mimoza Kusari 1546€ e Hekuran Murati 1270€ i morën për muajin shtator, mijëra mësimdhënës po ndëshkohen për grevën

Mijëra mësimdhënës kosovarë as sot nuk i morën pagat e muajit shtator, ndonëse e ndërprenë grevën.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Ligji për Grevën e përcakton qartë mënyrën e kompensimit për grevistët, shkruan Demokracia.com.

Ajo pas mbledhjes së kryesisë shtoi se është përgjegjësi e agjencive buxhetore që të bëhet ose jo ekzekutimi, ndonëse ligji e thotë një gjë të tillë.

“Ligji për Grevën e përcakton kompensimin ose jo të atyre që janë në grevë, nuk kompensohen për ditët në grevë. Është përgjegjësi e agjencive buxhetore. Këto pyetje të adresohen te institucionet përgjegjëse si te Ministria e Financave, po ashtu edhe te agjencitë e tjera”, tha ajo

S’e nuk do të ketë paga për grevistët e konfirmoi edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kryeziu tha se pagat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët që kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

“Për muajin shtator, pagesat në sektorin publik janë ekzekutuar për zyrtarët të cilët kanë dalë në punë dhe kanë kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Paga mujore është kompensim për punë. Në raste të grevave, kjo çështje përcaktohet në Ligjin për Greva”, tha Kryeziu për Klan Kosovën.

Se nuk do të ketë paga e konfirmoi edhe shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

Por, përderisa mësimdhënësit po varfërohen edhe më shumë, pushtetarët i morën pagat e tyre.

Kryeministri Albin Kurti e ka marrë pagën mbi 1 mijë euro ose saktësisht siç e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion, 1 mijë e 305 euro.

Edhe Mimoza Kusari-Lila e ka marrë pagën e shtatorit, që i bie të jetë 1 mijë 547 euro, pa ua llogaritur edhe mëditjet e beneficionet e tjera. Mbi 1 mijë euro për muajin shtator i ka marrë edhe ministri që ua ndali pagat mësimdhënësve, Hekuran Murati. Paga e një ministri në Kosovë është 1 mijë e 270 euro.