Albin Kurti, ‘nacionalisti’ i shtirur që po i rehabiliton pjesëtarët e ushtrisë kriminale të Serbisë në institucionet e Kosovës

Ajo që nuk pritej po ndodhë në Kosovë. Ish-pjesëtarë të ushtrisë së Serbisë po rehabilitohen nëpër institucionet e Kosovës. Kjo po ndodh nga një njeri që erdhi në pushtet me premtimet e mëdha se Serbia do të japë llogari për krimet e saj në Kosovë gjatë luftës.

Albin Kurti e ka emëruar zëvendësministër Radojica Radomiroviqin, ish-pjesëtar i Ushtrisë Jugosllave edhe gjatë kohës së luftës së llahtarshme në Kosovë.

Pa kaluar asnjë ditë u raportua se qeverisja e Kurtit e ka punësuar edhe të birin e tij, Nikollën, shkruan Demokracia.com.

Babë e bir del se kanë dy gjëra të përbashkëta: shërbimin në ushtrinë serbe në të kaluarën e tyre dhe shërbimin në të tashmen në institucionet e Republikës së Kosovës gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

I biri i Radoica Radomiroviq, zëvendësministrit për Komunitete dhe Kthim, Nikola Radomiroviq, u emërua nga Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, drejtor në njërën nga drejtoritë komunale. Kështu kishte njoftuar më 4 korrik, Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Nga sot, Violeta Sakiç, Nikolla Radomiroviq, Nenad Radosavljevic dhe Miroslav Minic do të jenë pjesë e kabinetit të Kryetarit Lulzim Hetemi”, pati njoftuar ministër Elbert Krasniqi.

E ”nacionalisti” i shtirur, Albin Kurti, para pak muajve e rithemeloi institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, që do të adresojë krimet e Serbisë në luftën e viteve 1998-1999.

Kurti thoshte se Kosova ka përjetuar dëme shkatërruese që asnjëherë nuk i kemi matur tamam.

“As 24 vite pas, nuk kemi shifra që do të mund të na tregonin dëmet nga lufta në vendin tonë. Dëmet e shkaktuara dhe vuajtjet e përjetuara nuk janë statistika, por duhen edhe statistikat për ta kuptuar përmasën e padrejtësisë. Për të pasur një hartë të detajuar mbi të gjitha krimet e luftës se ku, çka, si dhe ndaj kujt u ushtruan ato krime në luftën e fundit. Për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila do të na shërbejë edhe neve edhe brezave pas nesh.”, shtirej Kurti.

Ai thoshte se Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe veprimet gjenocidale të kryera në Kosovë.

“Republika e Kosovës nuk mund të harrojë”, thoshte Kurti, por duket se vetë ka harruar, pasi që po i bënë pjesë të institucioneve të Kosovës, ish-pjesëtarët e Ushtrisë së Serbisë.