Albin Kurti nuk i përgjigjet kërkesës për dërgimin e mjekëve kosovarë në Luginë të Preshevës

Qeveria e Kosovës ende nuk i është përgjigjur kërkesës së Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, që t’u lejohet punëtorëve shëndetësorë nga Kosova t’u dalin në ndihmë shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga kryetari i FSSHK, Blerim Syla. Ai ka thënë se deri me tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës.

Syla po ashtu ka sqaruar se kjo letër nuk ka të bëjë aspak me politikën.

“Jo asnjë përgjigje nuk kemi marrë. Letra duhet mu kuptuar si dashamirësi, si solidare. Nuk ka kurrgjë të bëjë me politikën. Ne përpara kemi shkuar edhe në vende të tjera të krizës, si në Shqipëri etj. Dhe e ndjejmë obligim moral që të shkojmë të shohim edhe në Luginë”, ka thënë ai.

Ai konsideron se ata nuk duhet të kenë probleme që të shkojnë në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, pasi siç tha ai, duhet lajmëruar Qeverinë e Serbisë, dhe se e njëjta gjë që po bëhet për serbët në Kosovës të bëhet për shqiptarët atje.

“Nëse respektohen konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, nëse respektohen konventat e Vjenës dhe nëse respektohen edhe marrëveshjet mes ministrit Arben Vitia edhe ministrit të Serbisë, unë konsiderojë që ne nuk duhet me pas problem, duhet me lajmërua Qeverinë e Serbisë atje që e njëjta gjë që po bëhet për Serbet në Kosovës të bëhet për shqiptarët atje. Ne nuk po lypim për më shku për tjetër gjë vetëm me monitorues situatën dhe çfarë nevojash kanë, absolut asgjë tjetër. Madje konsiderojë që kjo do t’i shërbente paqes mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Syla.

Lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu lidhur me trajtimin e kësaj kërkese, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur në telefon.

Kjo kërkesë e FSSHK erdhi pas lejimit të ardhjes së punëtorëve shëndetësorë nga Serbia për të monitoruar situatën me COVID-19 në komunat e banuara me serbë në Kosovë.

Në fillim të prillit, autoritetet e Kosovës kanë lejuar hyrjen personelit mjekësor nga Serbia, për të cilët, siç është thënë, dhjetëra prej tyre janë shpërndarë në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Autoritetet e Kosovës kishin konfirmuar se atyre u është dhënë leja për të hyrë në Kosovë.

Ardhja e këtyre mjekëve ngjalli reagime të shumta në vend.

Oda e mjekëve të Kosovës kishte kundërshtuar ashpër ardhjen e tyre.

OMK kishte deklaruar se Kosova ka kapacitete me bollëk për ta monitoruar situatën, dhe mjekët kosovarë janë të gatshëm të kujdesen për secilin qytetarë të Kosovës.