Albin Kurti po provon të fus në listën zgjedhore të VV’së, Bekim Jasharin dhe Halil Kastratin

Për zgjedhjet e përgjithshme nacionale në listën për deputet brenda Lëvizjes Vetëvendosje, kreu i saj Albin Kurti, tash e sa kohë po synon dy emra. Ata janë Bekim Hamëz Jashari dhe humanisti Halil Kastrati.

Albin Kurti në mesin e 110 kandidatëve sa duhet të ketë lista e një subjekti politik për të garuar në zgjedhjet nacionale tashmë ia ka venë syrin dy figurave të njohura në vend – humanistit  Halil Kastrati dhe ish kryetarit të komunës së Skenderajt, Bekim Jasharin, djalin e Hamëz Jasharit.

Burime të afërta me partinë në pushtet, i kanë thënë Periskopit, se ende nuk ka asgjë zyrtare, por që nisma e shefit të partisë, Albin Kurti, ka gjasa të mëdha të jetësohet. Halil Kastrati dhe Bekim Jashari, janë ende në hamendësime, thotë ky burim, se a do të vendosin të jenë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e përgjithshme.

“Ideja që humanisti Halill Kastrati dhe Bekim Jashari të jenë pjesë e listës zgjedhore të VV’së ka qenë edhe më herët. Vazhdimisht lideri i partisë Albin Kurti e ka menduar këtë dhe vazhdon të insistoj se këto dy figura duhet të jenë në listën e subjektit që udhëheq aktualisht me vendin. E gjitha kjo varet nga Kastrati e Jashari. Ndoshta me Jasharin do ta kemi më lehtë ta bindim për shkak se ai ka qenë pjesë e skenës politike, por të shohim nëse Kastrati do të bindet”ka thënë një burim i Periskopit i afërt me VV’në.

Periskopi gjatë tërë ditës ka tentuar të marrë një qëndrim nga Halil Kastrati, por në telefonin e tij janë përgjigjur vetëm nga Shoqata “Jetimët e Ballkanit”.

Përderisa nga organizata e Kastratit kanë qenë të qasshëm në telefon, Bekim Jashari gjatë tërë ditës nuk i është përgjigjur telefonatës.

Ndryshe, afërsia mes Albin Kurtit, Halil Kastratit dhe Bekim Jasharit është shumë e dukshme dhe jo e kohëve të fundit.

Duke llogaritur në reputacionin e Familjes Jashari, Kurti nuk e ka fshehur dëshirën për të mbajtur sa më afër këtë familje. Nuk ka lënë rast pa përdorur për të treguar afërsinë më ta. Bile, edhe në aktivitet sportive, siç ishte rasti i udhëtimit në një veturë me djalin e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Lulëzimin, për të ndjekur një lojë të kombëtares së Shqipërisë.

Albin Kurti dhe djali i Adem Jasharit, Lulzim Jashari

Jashari ishte mbështetur nga partia e Kurtit gjatë zgjedhjeve komunale për kryetar të Skenderajt, por këtë garë e kishte humbur përballë kandidat të PDK’së, Fadil Nura.

Edhe me Halil Kastratin nuk ka munguar përpjekja e Kurtit që të jetë krah tij. Para pak javësh Kastratin e kishte pritur në Kryeministri, ndërsa së voni ishte në një iftar (darka kur përfundon agjërimi ditor gjatë muajit të ramazanit) në Shtëpinë e Të Moshuarve në Suharekë, e ndërtuar nga Fondacioni i Kastratit. Aty u prit nga vet Kastrati.

“E pritem Kryeministrin për Iftar në Shtëpinë tonë”, shkroi Halil Kastrati mes të tjerash për vizitën e Kurtit në shtëpinë e të moshuarve.

Por, jo vetëm në këto raste. Edhe nëpër ceremoni e përurim projektesh të ndryshme janë parë së bashku.

Duhet përmendur qe edhe Bekim Jashari dhe Halil Kastrati kanë raporte shumë të afërta me njëri tjetrin.

Lakmia e Kurtit që këta të dy t’i ketë në listin zgjedhore të partisë së tij është fare e thjeshtë – Halil Kastrati mund të sjell shumë vota për partinë, për shkak të aktivitetit të tij humanitar, përderisa Bekim Jashari vjen nga familja e komandantit legjendar Adem Jashari.

Që të dy figura me influencë.

Me aderimin e këtyre dy figurave të rëndësishme në listën LVV’së, Kurti synon që sadopak të zbus telashet dhe pakënaqësitë që u ka shkaktuar dy grupeve të rëndësishme të shoqërisë kosovare – ata që njihen si grupim me prirje religjioze dhe me qëndrime konservatore, dhe grupi tjetër i të gjithë atë që identifikohen me vlerat dhe trashëgimin e UÇK ‘se.

Që të dy këto grupe janë shumë të pakënaqura me politikat dhe sjelljet e Kurtit karshi tyre.

Tashmë është publike pakënaqësia dhe sabotimi i hapur që ia bëjnë çdo nisme legjislative deputetët e VV’së, të njohur për qëndrimet e tyre më konservatore dhe me karakter religjioz, të përfaqësuar nga deputeti Eman Rramani.

Qëndrimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore Kurti i kishte mbështetur pa rezerve, mes tjerash edhe zhbërjen e udhëzimit administrativ që e ndalon mbulimin me shami nëpër institucione shkollore.

Me mos përmbushjen e premtimeve ndaj tyre, Kurtit tani i duhet një kompensim për këtë grupacion që sjell shumë vota.

Dhe kush tjetër do të ishte zëvendësimi më i mirë në këtë situatë se sa një personalitet i njohur si Halil Kastrati?

Kujtojme, se Halili Kastrati nëse futet ne listën e VV’së, nuk e ka për herë të parë të qenurit në politikë. Në vitin 2014, Halil Kastrati kishte garuar si deputet me partinë e Behgjet Pacollit. Si kandidat i AKR’së, me numrin 33, kishte arritur të mbledhte vetëm 1.111 vota, por të cilat nuk i mjaftuan atij që të hynte në Kuvend

Ndërsa, me emrin e Bekim Jasharit synohet sidokudo të zbutet pakënaqësie e gjithë asaj strukture shoqërore e cila identifikohet me vlerat dhe trashëgiminë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndaj kësaj kategorie, Kurti dhe partia e tij nuk kishin qenë miqësore, që të mos thuhet në raste të caktuara edhe armiqësor.

Bekim Jashari në listën e VV’së supozohet dhe shpresohet se do të mund të ishte ura që do të lidhte hendekun e madh që ekziston mes Kurtit e VV’së në njërën ane dhe krejt atyre që identifikohen me vlerat e UÇK ‘se.

Pa dyshim, nëse Kurti ia del të bind Jasharin dhe Kastratin të futen në listën e tij zgjedhore, që të dy do të jenë një trofe i çmueshëm elektoral, për të dhe partinë e tij.