Katari dhuron donacion për Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së

Qeveria e Katarit sot ka dhuruar donacion për Shoqatën e Invalidëve të Luftës së UÇK-së.

Ky aktivitet është realizuar me iniciativë dhe kërkesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pas takimit të fundit me Emirin e shtetit të Katarit, Sheikh Tamim Bin Hamad Al-Thani ka adresuar çështjen rreth ofrimit të ndihmës për proteza dhe të gjitha shërbimeve ortoprotetike për Invalidët e Luftës së UÇK-së.

Këtë e bëri të ditur, udhëheqës i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Fadil Shurdhaj.

Postimi i tij:

Në takimin e sotëm për pranim-dorëzimin e donacionit, delegacionin nga Ambasada e Katarit, të shoqëruar nga këshilltarët e Presidentes Osmani, Donika Kadaj dhe Gjeneral Sefer Isufi, i prita në zyrën time së bashku me kryetarin e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari.

Me këtë rast, ju shpreha mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për Qeverinë e Katarit për donacionin e dhuruar me artikuj ushqimor si dhe gatishmërinë e tyre për mbështetje me proteza dhe shërbime tjera ortoprotetike për invalidët e luftës së UÇK-së.

Po ashtu, falënderoj në mënyrë të veçantë edhe Presidenten Osmani dhe këshilltarët e saj për interesimin dhe angazhimin e tyre në mbështje dhe zgjidhje të problemeve të invalidëve të luftës së UÇK-së, përmes institucioneve vendore dhe vendeve tona mike.